Filma

Wind River (2017) – Recensim

Në një natë që në pamje të parë të kujton Alaskën dhe skena nga seria e viteve ‘90ta, ‘North of 60’, një vajzë është duke vrapuar, zbathur në temperatura thellë nën zero. E plagosur me gjasë, ajo bie në borë, për tu gjetur të nesërmen e vdekur, duke të kthyer në malet e Wyoming, në vendin e quajtur Wind River, një nga ato lokacione në SHBA që menaxhohet nga fiset indiane amerikane.

Forcat vendase të rendit janë të pakta për të zgjedhur këtë krim, dhe në këtë delegohet edhe një agjente e FBI-së e cila nuk është aspak e familjarizuar me klimën e këtyre anëve. Është borë, të reshura, dhe diell që nuk ia del të shkrin borën si në ditët e fundit të pushimeve dimërore. Dhe kjo i jep një fotografi edhe më të bukur filmit, i cili mbi të gjitha mahnit me skenarin e regjinë.

Të dyja, edhe skenari edhe regjia vijnë nga Taylor Sheridan i cili mund të njihet më shumë si aktor për dikë (Sons of Anarchy), e për dikë si unë më shumë për skenarin e dy filmave jashtëzakonisht bukur të realizuar viteve të fundit – ‘Sicario’ e ‘Hell or High Water’.

Tema e filmit nis të shtjellohet dalëngadalë, duke marr narracionin e karakterit të Jeremy Renner i cili vjen në rolin e gjahtarit dhe si njohës i këtyre viseve u del në ndihmë forcave të rendit dhe agjentes së FBI-së. Kjo e fundit është Elizabeth Olsen e cila mund të them se ka rolin më serioz në karrierën e saj goxha të mirë të zhvilluar.

E karakteri i Renner, Cory, ka edhe një tragjedi në të kaluarën e tij që e motivon edhe më shumë në zgjidhjen e misterit të vajzës së vdekur. Është një tregim i lidhur edhe me karakteret tjera në film, disa edhe mbeten tejet në sfond. Dhe ngjarja ndërtohet lehtë dhe ngadalë, për një kohë të gjatë, për të marr një kthesë të hatashme e cila mendoj që e bën këtë njërin nga tre filmat më të mirë të vitit, e më të nënvlerësuarin.

Skenari është i mrekullueshëm, harmonia skenike me Elizabeth Olsen, dhe shumicën e karaktereve tjera; e edhe aktrimi si një ‘ujk i vetmuar’ i Jeremy Renner është në nivel me aftësitë e tija të aktrimit. I jashtëzakonshëm për karakterin që sjell.

Një film tejet i nënvlerësuar, tepër i rëndësishëm, i realizuar në mënyrë madhështore në çdo aspekt. Nota personale: 5/5