Filma

Wonder Woman (2017) – Recensim

Një heroinë femër i është nevojitur kësaj periudhe të lulëzimit të filmave nga universi i DC dhe Marvel. Një heroinë e vërtetë, si Wonder Woman. Dhe me këtë film, rrumbullakohen themelet për një fazë të re të filmave me super-heronj, një fazë finale.

Gal Gadot është përzgjedhja e përkryer për të luajtur këtë rol të femrës së mrekullueshme. Aksenti jo aq origjinal amerikan që e ndërlidh me zanafillën e Dianas; shtat-lartësia, zotësia për mbizotërimin e skenave aksion; dhe sigurisht bukuria, pa harruar edhe aftësitë e saj të mira të aktrimit i japin arsyen fillestare për sukses këtij filmi.

Pas hyrjes fillestare që e sjell Dianën në të tashme, gjithçka vazhdon me një vajzë të vockël, e rritur në një vend të dominuar nga gjinia femërore. Aty shohim aktore tjera që kanë simbolizuar femrat e fuqishme në televizion viteve të fundit si Robin Wright, apo Presidentja Underwood. Izolimi nga bota e jashtme e bën intrigues fillimin, që shërben si një bazë e mirë për ndërtimin e një tregimi i cili duket se ngec e vonohet paksa në disa raste.

Megjithatë, skenari i rregulluar për një botë femrash – përfshirë edhe antagonisten në film, ndërton karakteret mirë në përgatitje për ngjarjet e mëdha. Ndërlidhja ndërmjet botëve mbetet disi si një mjegull, ashtu edhe siç shfaqet në film, por pjesa kryesore tutje është mirë e shtrirë. Ka trajektore të qartë, dhe perceptimi i ndryshueshëm për antagonistin kryesor në film sikurse lë në hamendje edhe neve si shikues.

Skenari dhe regjia nga Patty Jenkins është mirë e realizuar. Shumë më mirë se gjërat që bën Zack Snyder tek DC Universe. Do të jetë interesante të shohim se çfarë do të bëj tek filmi i dytë Jenkins. Aktrimi i Gal Gadot është i përkryer për karakterin e saj, ashtu siç lavdërova edhe kastingun. Karakteret dytësore, e edhe ato antagoniste ndihmojnë mirë tregimin. Chris Pine është i mirë në karakter ndihmës, derisa Danny Huston e Lisa Loven Kongsli mirë e kryejnë detyrën e tyre. Vlen të theksohet paraqitja e Ewen Bremner e David Thewlis të cilët kanë pasur një 2017sh të suksesshëm me ‘Trainspotting 2’ e sezonin e tretë të ‘Fargo’ respektivisht.

Një film i përshtatshëm për këtë periudhë, mirë i realizuar në të gjitha aspektet, përfshirë fotografinë. Nota personale: 4/5