Filma

X-Men Apocalypse (2016) – Recensim

Nëse ka një emër që di të nxjerr maksimumin nga universi i X-Men atëherë ky është Bryan Singer. Më duket si një lidhje e përkryer kjo, dhe çdo prodhim i kësaj lidhjeje veç sa bëhet më i përkryer, sidomos kur në pako me Bryan Singer vjen edhe Simon Kinberg. E njëjta vlen edhe për ‘X-Men: Apocalypse’.

S’do të doja të hidhja paralele ndërmjet filmit të kaluar ‘Days of the Future Past’ apo me dy filmat e parë të X-Men. Edhe po të doja, s’besoj që do të mundja. Secili ka një specialitet në vete, diçka që e bën sa të veçantë, aq edhe të përbashkët me filmat e universit të mutantëve.

Filmi nis me Apokalipsin – një mutant i varrosur në kohërat e Egjiptit të Lashtë. Kur ai ngrihet nga të vdekurit vendos të marr nën sundim botën nga krijesat e dobëta – njerëzit e zakonshëm. Një veti e Apokalipsit është që zmadhon fuqinë e veçantë që e ka secili mutant. Për fillim arrin të gjej disa përkrahës, por skuadra e Profesor Xavier si gjithnjë është në anën e humanëve ‘normal’. Magneto duket se ka rregulluar jetën në një vendbanim të largët nga njerëzimi. Raven është në ndjekje të tij. Pastaj kemi klasën më me përvojë të mutantëve, dhe fillestarët që nisen në misionin e parë e që duket se do të jetë më i vështiri.

Më ka pëlqyer, së tepërmi skenari që nuk mbetet aspak mbrapa filmit të kaluar. Ka shumë skena të mahnitshme – Magneto, Quicksilver, Moira, e skena tjera të betejave. Realizimi vizual është i mrekullueshëm, tregimi loqkë i përpunuar. E aktrimi i përkryer. Më ka pëlqyer përshtatja e gjeneratës së re të mutantëve të cilët edhe pse është e pamundur të zëvendësojnë Ian McKellen e Patrick Stewart, kanë arritur në masë të madhe të mbulojnë atë zbrazësi. Ndërkohë kurrë nuk kam qenë më i bindur se pas këtij filmi që Hugh Jackman ka bërë veprimin më të mençur të pensionimit nga kjo franshizë. Është koha për talente të reja të cilat kanë kryer punën me zell tek ky film.

Personalisht mua, X-Men: Apocalypse më ka kënaqur për pjesën më të madhe të filmit. Ka gjithçka që do të kërkoja nga një film i këtillë. Nota personale: 5/5