Filma

Youth (2015) – Recensim

Fred Ballinger është një dirigjent i pensionuar orkestrash duke kaluar pushimet në një sanatorium diku në Alpe. Aty ai gjendet me mikun e tij të ngushtë, Mick Boyle i cili akoma është duke punuar në veprën e tij të fundit filmike ku planifikon të angazhoj divan e tij, Brenda Morel. Bashkë me Fred, në këtë sanatorium gjendet e bija e tij Lena. Ajo është e martuar me të birin e Mick i cili e lë Lenan për një këngëtare – Paloma Faith e cila luan rolin e vetvetes. Pjesë e përditshme e jetës së Fred dhe Mick është Miss Universe e cila ka fituar si shpërblim pushimet në këtë pushimore dhe një aktor i ri i quajtur Jimmy Tree.

Fred dhe Mick janë një dyshe dinamike krahas moshës të cilët humorin e përqendrojnë në gjendjen shëndetësore aktuale të tyre, vrojtimin dhe gjykimin e të tjerëve, si dhe cinizmin dhe lakminë që kanë ndaj rinisë. Kjo e fundit, në të cilin term edhe është i barazuar filmi, vjen në pah tek karakteri i Miss Universe dhe Jimmy Tree, pa përjashtuar edhe fizioterapeuten e Fredit. Të dy shpesh sjellin kujtimet e tyre në mënyra poetike duke provuar ti japin rëndësi kujtimeve nga e kaluara. Por, filmi nuk është i bazuar vetëm tek këto dy karaktere. Karakteret tjera dytësore, si dhe tema devijon për të sjell pak freski në këtë ambient i cili nganjëherë di edhe të bëhet bajat deri në një masë.

Paolo Sorrentino sjell një tregim mirë të përpunuar, duke provuar të testoj kthjelltësinë mendore të dy karaktereve kryesore me përfshirjen e sureales në tregimin e një drame që sprovon limitet e realitetin në disa raste. Michael Caine në rolin e Fred dhe Harvey Keitel në rolin e Mick kanë një harmoni të shkëlqyeshme skenike me karakteret e tyre. Humori i tyre është i kënaqshëm. Rachel Weisz në rolin e Lenas, dhe Paul Dano në rolin e Jimmy Tree kanë një hapësirë të konsiderueshme duke kontribuar goxha shumë në zhvillimin e tregimit. Jane Fonda ka vetëm një skenë, por është goxha skenë e mirë. Të gjithë këta nën penën dhe drejtimin e Sorrentinos sjellin një film bukur të sendërtuar dhe të kënaqshëm për audiencën që pëlqen filma artistik me një mishërim skenari dhe kinematografie të bukur.

‘Youth’ mbete dramë shumë mirë e realizuar, me një aktrim të veçantë të Caine e Keitel. Një vepër që Sorrentinos nuk ia dëmton reputacionin e fituar me ‘The Great Beauty’. Nota personale: 4/5