Journal

Z-ja

Si i rrjedhin lotët, ashtu pa nda. Nuk është hera e parë që  shoh duke qarë. E mbaj në mend qysh prej herës së parë kur ishim takuar në kopsht. Mësuesja na kishte ndarë në grupe, të dyja ishim ulur afër. Ajo ishte në të majtën time, por i mungonte e kaltra prej ngjyrave. Isha duke ngjyrosur majat e qiellit, ndërkohë pashë të më shikonte. Do më kërkonte ti huazoja të kaltrën, por hezitonte. E vërejta. Zgjata dorën time të majtë dhe i ngjyrosa lumin që nisi të rridhte në qoshen e djathtë të letrës së bllokut të vizatimit numër tre. Ajo çfarë vijoi për shtatëmbëdhjetë vite ishte shoqëri e pandarë. Prej atëherë Z është shoqja ime më e mirë…

Hunda i është skuqur. Nuk është hera e parë të jetë e mbushur. Nuk është hera e parë të i jetë mbushur nga të qarat për një djalë. Edhe kësaj here duhej të ishte i duhuri. Ai princi me kalë si nëpër tregime. Edhe një herë doli të jetë kali. Princi nuk po vjen. Ç’dreqin kërkon ai?! Ç’dreqin kërkojnë djemtë?!

Posa mendon se është e qetësuar, e gatshme të flas ndërmjet atyre buzëve të holla e të shkurtra, në fjalën e tretë ia plasë vajit, me lotët që i dalin ujëvarë, derisa ngreh hundët përsëri. Nuk di çfarë ti them! Nuk di çfarë ti bëj. I zgjat një pallomë tjetër, i prek supet. “E di, e di,” nuk më del tjetër gjë nga goja. Në fakt nuk di asgjë. As ajo nuk di.

Është njeriu më i urtë në botë. Engjëll me një fjalë. Nuk lëndon as një mizë siç thonë në fjali popullore. Është e sjellshme, nuk flet shumë. Flet pak, flet me zë të ulët. Për këtë arsye preferon vendet e qeta. Por, shoqet tjera, K sidomos na shtynë të shkojmë në zhurmë, në ahengje, aty ku ambientohem unë. Por, jo edhe Z. Nuk jam shoqja më e mirë për të. Mundohem, por nganjëherë ja që s’mundem të jem krejt e saj. E urrej K-në, por e dua. Është një asisoj lidhje sikur me djemtë e këqij. Ndoshta.

Qan. Nuk ndalet. Edhe pak do e zë gjumi. Do të shtrihet në jastëkun e kaltër, ngjyra e të cilit vetëm sa do të bëhet më e thellë me kalimin e natës. Do të ngjyroset nga lotët e saj të pafajshëm, të çiltër. Do të ngjaj në një qiell të ngrysur jastëku, por në dritën e parë të mëngjesit, dielli që depërton nëpër kapakët e dritares do të kthej jastëkun siç ka qenë. Por, jo edhe zemrën e saj e cila vazhdon të thyhet.

Të fajësoj fatin? Të fajësoj Zotin? Të fajësoj Z-në? Pse bëjmë zgjedhje të këqija gjithmonë? Mos vallë jemi magnet për të keqen? Vuajmë për fajin e dikujt? Apo ndoshta krejt djemtë janë të këtillë?

Buzët e shkurtra e të holla. E zeza gjithmonë i shkon mirë. Edhe e kuqja, por vetëm nëse ka volum të theksuar. Ngjashëm edhe e kaltra në thonjtë e saj. Sytë e mëdhenj bien në pah në shikim të parë, derisa flokët e gjata të zeza gjithnjë i rrinë bukur të ngrehur mbrapa. Kush nuk do të donte atë? Pse të mos e donin një engjëll, vajzën më urtë në botë?

Unë do e doja. Edhe e dua. Nuk do e ndërroje me asnjë shoqe në botë! Në fakt edhe do e kaloja krejt jetën me të! Në djall, do e kaloj krejt jetën me të! Së paku s’do të qajmë më. S’do të vajtojmë për kuajt, dhe atë jo këta që vrapojnë në gara. Për kuajt në dy këmbë, buzëqeshja e të cilëve shndërrohet në zgërdhije në momentin që ulim mburojën e zemrës sonë. Zemër, zemër, por edhe ajo është lodhur së lënduari. Pse brengosesh Z? Unë të mbroj zemrën tënde, ashtu siç e kam shëruar pas çdo thyerje. Nuk konvertoj buzëqeshjen në zgërdhije. Më ke dëgjuar qindra herë të qeshem si e çmendur. Më ke dëgjuar edhe luftën time me barkun në tualet! I di të gjitha të errëtat, ngjashëm siç i di edhe unë. Adoptojmë një fëmijë, patjetër djalë, dhe e mësojmë si të sillet me femrën kur të rritet. E bëjmë kardiolog, ashtu që të shëroj zemrat e të gjitha femrave. Lëre atë, ne do të bëhemi kardiologë. Nejse, unë kardiologe, ti psikologe. Le të nisim revolucionin. Unë dhe ti Z, deri në pafundësi.

p.s. tregimi osht i shkrum për shoqen teme ma t’mirë, e cila përkundër vujtjeve të shumta, gjithmonë e gjen forcën me buzëqesh, e me na ndreq ditën sikur mu, sikur Z-së, sikur K-së (edhe pse ajo s’e meriton)… për këtë arsye paragrafi i fundit devijon nga ngjyrë tjetër, sepse qysh ka thon edhe Urtimori ‘lumturia mundet mu gjet edhe në momentet ma t’errëta, mjafton që dikush me dit me lshu dritën’