Opinione

Zëri i të zhdukurve

Tetëmbëdhjetë vite pas luftës akoma ka mijëra njerëz fati i të cilëve nuk dihet. Ka edhe prej atyre fatin e të cilëve e dimë, por në një mënyrë apo tjetrën shpresa që gjithë bota përreth nesh, përfshirë edhe neve, të ishte gabim në identifikimin e tyre, akoma mbijeton. Në ato ëndrrat e netëve pagjumë kur gjithçka na vjen vërdallë si një botë alternative të cilën për pak çaste marrim guximin qyqar ta ëndërrojmë. Aty ku jemi bashkë me ata të cilët nuk e dimë a janë të gjallë, të vdekur, të robëruar, të humbur… të zhdukur.

Ka qenë një anekdotë që e kujtoj që nga fëmijëria. Anekdota për Nastradinin dhe atëherë kur ishte rrëzuar nga dardha. Është një anekdotë që na bën të kuptojmë se dhimbjen tonë nuk mund ta dijë askush pos atyre që e kanë përjetuar. Edhe atëherë, dhimbja e njërit dallon nga tjetri. Është diçka që na bën të veçantë si qenie njerëzore. Dhe, sado që provojmë të kuptojmë të tjerët, ta kesh përjetuar fatin e tyre të jep një qasje krejt tjetër në këtë çështje.

Derisa organizata të ndryshme qeveritare e joqeveritare provojnë të gjejnë të zhdukurit, pak bëhet për familjet e tyre. Nuk është kërkimi i të zhdukurve e vetmja mënyrë për ti ndihmuar. As ndonjë ndihmë eventuale financiare. Ndihma shpirtërore, psikike është ajo që ju mungon më së shumti. Dhe një mënyrë e përkryer për të lehtësuar këtë dhimbje është bisedimi për të. Diskutimi për këtë çështje vetëm nga ata që kanë përjetuar këtë, dhe ndonjë profesionist social në lidhje me këtë çështje.

Të pakta, shumë të pakta, janë mbledhjet e personave që vuajnë nga diçka e njëjtë këtu tek ne. Ju ka rastisur të shihni ‘mbledhjet anonime’ të njerëzve që vuajnë nga alkooli, narkotikët, e edhe mbipesha. Diskutimi për diçka nga e cila të gjithë të pranishmit lëngojmë, bisedimi, ‘zbrazja e zemrës’ në një ambient të këtillë është shumë më e dobishme se sa zbrazja e zemrës tek familjarët apo qeveritarët që nuk janë në ‘të njëjtën lëkurë’.

Në ‘Britain’s Got Talent’, njëri nga grupet konkurruese ishte ‘Kori i njerëzve të zhdukur’. Ishte i përbërë nga familjarë të cilët kishin dikë të zhdukur nga jeta e tyre. E qartë që këndimi nuk do tu gjej të zhdukurit, por aktivitetet që bëjnë janë më tepër se kaq. Janë për lehtësimin e tyre shpirtëror, dhe njëkohësisht edhe për përçimin e një mesazhi tek të tjerët.

Është vetëm një ide, nga të shumtat që mund të bëhen nga komuniteti për këtë pjesë të popullsisë. Dalja e kërkimit për ata që janë zhdukur nuk është e vetmja mënyrë. As organizimi i konferencave dhe përkujtimi i tyre në ditën e të zhdukurve, nuk është e vetmja mënyrë për ti ndihmuar.

Nuk do të thosha ta vendosni veten në pozitën e tyre, pasi është e pamundur. Por, ka shumë mënyra që mund të përkrahen familjet e të zhdukurve, dhe atë jo materialisht patjetër. Përkrahja shpirtërore nuk ka të paguar. Le ti përkrahim më shumë ata, dhe shtresat e tjera të popullsisë që kanë nevojë për kësisoj ndihme.