Categories
Journal

13 vite më pas!

 

Kur u zgjova sot herët në mëngjes, edhe pse ishte më vonë se zakonisht pashë motin jashtë që më ktheu kujtimet e para 13 viteve. Ishte një diell i ngritur poshtë mbi horizont, në juglindje të dritares time. Një diell i ngrysur i cili ngjante një qejfprishës të të ftohtit dhe sikur me zor dëshironte të sjellte pranverën parakohe. Të vjetrit i kam dëgjuar të thonë diell vrastar, hipokrit, mashtrues që të shtyn të mendosh që do të jetë mot i ngrohtë duke shikuar matanë xhamave të dritares, por me të dalur jashtë fillon të kërcitësh dhëmbët, ndërsa duart, faqet dhe hunda të skuqen dhe sheh avullin sa herë që lëshon frymë nga trupi. Kthehesh brenda i irrituar dhe tradhtuar nga dielli që në njëfarë mënyre është fajtori kryesor për dëshprimin e parë por jo të vetmin të një dite që ndoshta nuk premton kushedi sa ngjarje revolucionare në jetën tonë të mërzitshme. Sot arrita të kthehesha brenda dhe të strukesha në dhomë përballë kompjuterit i blinduar me kapakët e dritareve që nuk i lejonte era e fuqishme të rrinin hapur. E kisha ngrohtë dhe arrita të shkruaj shumë gjëra që më bën të ndihesha produktiv, pasi shpesh kam patur atë që në anglisht e quajnë “writer’s block”.

Por nuk ishte e njëjta gjë para 13 viteve. I zgjuar herët në mëngjes, diku para orës 7 duke parë motin e ngjashëm me atë të ditës së sotme, haja vezët e fërguara dhe në mos gabojë një pashtetë pule, dhe shihja filmin vizatimor në TV, që nuk fliste shqip në mëngjes atëherë. Kur dola jashtë ndjenja ishte e njëjtë, e ngjashme me atë të mëngjesit të sotëm, por nuk kishte kthim mbrapa. Duhej të shpejtoja për në shkollë, e cila ishte jo shumë larg, afër 13 minuta udhëtim në këmbë. i mbuluar dhe veshur sa s’ka më, jashtë më kishin mbetur vetëm sytë që picërroja të mos më hynte i ftohti i mëngjesit dhe shpresoja të mos kalonte ndonjë kamion rrugës sepse duhej të kthenim shpinën që të mos “mërdhiheshim” nga forca ajrore që vinte pas kalimit të kamionit. I traumatizuar nga pamjet që shfaqte TVSH e asaj kohe me Mustafë Muqajn në rolin e moderatorit, dhe zërin e korrespodentit që nuk më kujtohet tash se kush ishte vazhdoja rrugën për në shkollë. Ishte një fotografi që shfaqte një grua të cilës dukej se ia kishin shkapërderdhur fytyrën dhe gjithçka që shihej ishte ngjyra e kuqe. Ndoshta cilësia e fotografisë ishte e dobët, ose ndoshta ishte masakruar aq shumë sa që nuk kishte mbetur çfarë të shihej, por për aq pak minuta sa e vërejta tinëz prindërve, ajo fotografi arriti të mbetet në memorien e një 11 vjeçari që akoma as sot nuk arrin ta shlyej. Ishte pak vonë kur babi më detyroi të dilja në dhomën tjetër dhe të luaja, por zëri i televizionit, para të cilit qëndronin praktikisht e tërë lagjja ime, afër 5-6 veta depërtonte nëpër mure për të arritur tek veshët e mi. Kjo kishte ndodhur mbrëmë në TV, por akoma më përcillte rrugës për në shkollë ku isha nisur të shkoja vetëm, pasi në klasën e pestë nuk kisha asnjë shok që do të shoqëronte në udhëtim. Akoma pa arritur tek shkolla u ktheva në shtëpi. Mësimi ishte suspenduar për ndoshta ato ngjarjet për të cilat fliste televizori mbrëmë dhe për të cilat unë nuk dija shumë gjëra por ndjeja një lloj trishtimi nga zëri buçitës dhe alarmuesi i atij korrespodenti. Nuk kisha kujtuar asgjë në mendjen time në zërin e radios, por ai zë në një mënyrë arrinte të mposhte atë zë të hollë radioje. Unë mësova nga shokët e mi të bankës, Mensuri që po kthehej me motrën e tij në klasën e 8 që s’do të mbahej mësimi, pasi diku kishin mbytur disa veta dhe do të përgatiteshin protesta, luftë apo s’di çfarë përshpëriste ai. Atëbotë nuk kisha aspak njohuri se ku ishte ai vend, çfarë po ndodhte, por me kalimin e kohës do të mësoja gjithçka. Mësimi vazhdoi pas disa ditëve, më duket se kishte protesta, dhe disa netë radhazi kur unë duhej të lëshoja dhomën për të mësuar apo luajtur në dhomën tjetër me motrën time të vogël, atëbotë në klasën e tretë që nuk vriste mendjen për atë se çfarë ndodhte në TV, por ishte e habitur në kukullat e saja.

Sido qoftë, ishte moti ai që më solli ndër mend atë ditë të errët nga kujtesa ime. Akoma më kujtohet ai diell i ngrysur, që edhe pse rrallë shfaqet në horizont, arrin “qëllimin e tij” të më prish mëngjesin për ato pak çaste, por assesi ditën. E as sot nuk arriti të më prish ditën. Tashmë është pasdite, dielli nuk shihet, është larg reve, përderisa era është qetësuar. Tashmë kam hapur edhe kapakët e dritareve dhe arrij të shohën borën e lehtë që bie me shpejtësi por shkrihet edhe më shpejtë. Tani më shumë i ngjan të martave që janë dita ime e preferuar e javës, dhe aspak atyre ditëve të errëta të para 13 viteve. Ato kanë ikur për të mos u kthyer kurrë më. Për të mos trazuar mendjen e asnjë 11vjeçari tjetër.

Luan Morina