Çfarë bën njeriu kur mbërrin majën e karrierës?

Diqysh, e di që Leicester City ka bërë maksimumin në futbollin anglez dhe për momentin përsëritja e suksesit duket e pamundur.

E njëjta vlen edhe për dyshen Odar – Friese.

Për mua, Dark mbetet një nga tri dramat më të mira ndonjëherë – bashkë me Lost e Game of Thrones! Tash, si i çmendur pas Dark, mezi kam pritur 1899, por nuk kam pritur që të kalojë Dark. Aq më pak në sezonin e parë.

Dhe, për ata që vijnë nga Dark te 1899 me pritshmërinë për një super-seri, do ketë goxha zhgënjim. Prandaj, krahasimi nuk është i drejtë. Ata që e kanë parë 1899 para Dark, do ju duket goxha interesante, dhe me gjasë do presin me padurim sezonin e dytë.

Pra, temën po e dimë të gjithë, pasi jemi këtu vetëm ne që e kemi parë, një anije e nisur nga Evropa bartë njerëz të kulturave dhe klasave shoqërore të ndryshme nga Evropa për në Amerikë. Të gjithë kanë një histori të errët nga e cila ikin, por Maura duket të ketë diçka më të veçantë.

Me kalimin e episodeve, zbulojmë edhe të kaluarën e tjerëve, dhe kur provojmë të ndërlidhim udhëtarët me njëri-tjetrin, kuptojmë që megjithatë Maura është në qendër të historisë.

Vijmë në një pikë të The Truman Show, e pastaj e kuptojmë që nuk është bash aq e thjeshtë krejt historia. I biri i Mauras, Danieli, i ati i saj, krejt këto karaktere fillimisht na mendojnë që kemi të bëjmë me një eksperiment anijesh, pastaj zbulojmë vrimat dhe pikëbashkimin e tyre.

Këtu përzihet gjithçka dhe nuk shpjegohet gjithçka!

Nuk kemi një lëvizje në kohë, sa kemi një lëvizje në hapësirë, dhe ky është dallimi kryesor me Dark. Deri në çastet e fundit të sezonit të parë.

Sa janë shanset që edhe anija kozmike të jetë një ëndërr brenda ëndrrës?!

Sigurisht, nëse kemi sezon të dytë!

Ka disa arsye pse më bëjnë të jem skeptik për sezonin e dytë – jehona më e kufizuar se Dark, dhe përshpejtimi i shpjegimit të ngjarjes në sezonin e parë, mbase për shkak të kufizimeve të xhirimeve për shkak të pandemisë!

Aktrimi është i bukur, aktorët janë përzgjedhur për karakteret e tyre. Skenari është i mirë, niset bukur, pastaj lë shumë sende të pashpjeguara, ndoshta për sezonet tjera, ose ndoshta është përhapur shumë panevojshëm – do më interesonte goxha shumë historia e polakut dhe dy ushtarëve francez në veçanti, jo vetëm e kaluara e Mauras.

Por, edhe kështu, nuk është keq, veç ndoshta zhgënjim që shkuam para në të ardhmen e jo mbrapa në kohë, ashtu siç do preferoja, ndonëse 1899 është kohështrirja kryesore! Por, si është bërë, është mënyra e duhur. Nota personale: 5/5