Categories
lomsh

2×45 ose 4×25

Pas suksesit të SHBA-ve në kampionatin botëror për femra dhe 80 mijë shikuesve në ndeshjen Chivas – Barcelona mediat amerikane filluan të spekulonin për popullarizimin e futbollit evropian në Amerikë. Megjithatë ndeshjet e MLS (Ligës së Amerikës Veriore në futboll) vazhdojnë të kenë numër të vogël shikuesish. Tony Kornheiser, një analist i njohur për sporte amerikane në ESPN hodhi një ide interesante, ndajeni futbollin në katër pjesë, futni marketing edhe më të madh (thua se kemi pak) dhe do të keni një boom të futbollit evropian në Amerikën Veriore.

Por, dy superkupat e kësaj jave, ajo e Italisë dhe sidomos ajo e Anglisë e dëshmuan që futbolli është perfekt ashtu siç është tani. Dy ndeshje të jashtëzakonshme që premtojnë stinor me plot emocione futbolli. Ndoshta emocionet ishin më të mëdha pasi u ndeshen rivalët e qyteteve dhe po të ishte edhe një ndeshje humanitare ato do të jepnin më shumë se maksimumin.

Milani ishte aktiv në pjesën e parë. ishte aktiv edhe në të dytën, ku më në fund arriti të shënoj. Interi ishte aktiv kur festuan golin e parë të shënuar nga Sneijder. Milani qartazi ka nevojë për një “kokë” në mesfushë, duhet Montolivo ose Aquillani, pasi kishte mungesë kreativiteti dhe shpërndarje pozicionesh në pjesën e parë. Në të dytën ishin shumë më komunikativ dhe shënuan dy gola, por patën mundësi edhe për tjerë, sidomos në pjesën e parë. Strategjia e tyre është e qartë, topin tek Ibra dhe pastaj bëhet diçka. Interi kishte vetëm Sneijderin dhe Etoo’n që kontribuonin. Mbrojta nuk ishte kërkah, ndërsa edhe Julion Cesar ka filluar të plaket, ka rënë performanca e tij në sezonën e fundit. Problemi i vetëm i Inter është ai që kishte Milan me 2007’tën. Nuk larguan titullarët duk mos arritur të gjenin zëvendësuesit adekuat. Eto’o e Sneijder akoma kanë çmim të lartë, Milito dhe Maicon mund të shiteshin deri në 50 milionë euro së bashku, por tani nuk vlejnë as sa gjysma, sidomos Milito. Ngjashëm mund do të ndodh edhe me Eto’o e Sneijder vitin e ardhshëm nëse qëndrojnë edhe një vit në Inter.

Në “Betejën e Manchesterit” pamë dy fytyra futbolli. Citizens me plot para dhe më në fund një skuadër të konsoliduar dominuan në pjesën e parë të ndihmuar pak edhe nga gabimet e De Geas. Lescott shtangu mbrojtjen e stoike të United, ndërsa Dzeko u rikujtoi “djajve të kuq”  atë që kishin pësuar në finalen e Champions, edhe kur ishte Van der Sar, një gol nga largësia dhe afër duarve të portjerit. Pas 45 minutave të parë dukej se në Manchester kishte ardhur koha për një mbretëri të re.

Por, në pjesën e dytë zeja e Sir Alex Fergusson tregoi perfeksionimin e saj. Njëra nga mendjet më të ndritura në futboll zhvlerësoi qindra milionat e sheikëve falë një skuadre me moshë mesatare që mëzi prekte 21 vjet. Kjo është ajo çfarë bën më së miri Sir Alex. Merr, rrit, shet lojtarët dhe më kryesorja fiton tituj. Nani ishte transferuar në kohën kur Ronaldo shkëlqente. Tani Nani shkëlqen ndërsa sapo është transferuar Young që të dielën bëri një punë të shkëlqyeshme. Por, Nani ishte një lider i ditës dhe përkushtimi i tij u vërejt në aksionin e fundit kur bëri sprintin final drejt titullit. Ajo çfarë impresionoi më shumë tek United ishte performanca e të rinjve Cleverley, Jones, Smalling, e Evans të cilët ishin të jashtëzakonshëm, sidomos në pjesën e dytë.

City ka një skuadër të mirë, një trajner autoritativ dhe milionat. Loja e tyre, sidomos pas titullit të kupës sezonin e kaluar, dukej më e sigurt dhe ishte një sinjal i qartë që këtë vit synojnë gjithçka që mund të fitohet, dhe atë seriozisht.

Dhe në fund nëse ndoshta 4 pjesë nga 25 minuta do të kryenin punë në SHBA dhe mund të sillnin tituj për Inter e Manchester City, por dy ndeshjet e fundjavës  me 2 pjesë nga 45 minuta sollën tituj për kundërshtarët e tyre, por mbi të gjitha plot emocione dhe argëtim të jashtëzakonshëm për një fundjavë vere.