Ishte pritur me shumë bujë në Turqi, dhe me shumë habi në Kosovë e trojet shqiptare, kalimi i Lorik Canës në Gallatasaraj. Futbollisti më i mirë shqiptar i kohëve moderne, kishte bërë një transferim tepër të papritur. Angazhimi i tij në futbollin turk ka qenë shumë befasues për të gjithë shqiptarët. Të gjithë prisnin diçka më të madhe nga ai, ndonjë skuadër më të madhe. Megjithatë, unë personalisht, si një tifoz i Gallatasarajit kam qenë më se i lumtur me angazhimin e tij në Gallatë. Kur u transferua ai gjërat qëndronin për mrekulli. Adnan Polat, kryetar i skuadrës, po premtonte yje tjera pas ardhjes së Lorikut, dhe me futbollistë si Barosh, Kjuell, Arda, Gallatasaraj konsiderohej edhe si pretendentë për të fituar Ligën e Evropës. Por, disa vendime të kryesisë shuan ëndrrat dhe prishën planet e Gallatasarajit. Duke planifikuar shitjen e yjeve si Elano dhe Arda, pa portjerë cilësor, me mungesa të shumta, dhe një skuadër të pakomponuar, Gallatasaraj u menjanua në kualifikime nga një skuadër inferiore nga Ukraina. Dështuan shitjet e yjeve të vjetra (vetëm Keita është shitur), nuk u transferua asnjë portjerë i ri, dhe në tentim për t’u ringjallur në ditën e fundit të afatit të transfereve, Gallatasaraj transferoi edhe dy lojtarë të huaj, Zvjezdan Misimoviçin nga Volfsburgu dhe Emiliano Insuan (i huazuar) nga Liverpuli.
Turqia duke u munduar të zhvillojë futbollistët vendas ka vendosur disa rregulla që po kanë pasoja për skuadrat turke në garat evropiane. Sipas rregullave të Federatës Turke të Futbollit, një skuadër është e lejuar të regjistrojë vetëm 8 lojtarë të huaj. Nga këta lojtarë, në një ndeshje të kampionatit apo kupës turke, mund të aktivizohen vetëm 6, ndërsa 2 të tjerë mund të qëndrojnë në bankën rezervë. Këtu vjen problemi i Canës sipas trajnerit Rajkard dhe presidentit Polat. Më herët kanë qarkulluar disa fjalë që Rajkard nuk ka kërkuar të forcojë mesfushën, pasi ka mjaft kuadro, por presidenti ka pasur planet e veta publicistike, që vetëm të sjellë lojtarë në skuadër, një politikë që rezultoi të jetë e dështuar. Tani në skuadër ka 8 futbollistë të huaj, e ata janë: Lorik Cana, Elano Blumer (Brazil), Harri Kjuell, dhe Lukas Neill (Australi), Huan Pablo Pino (Kolumbi), Zvjezdan Misimoviç (Bosnjë e Hercegovinë), Milan Barosh (Çeki), dhe Emiliano Insua (Argjentinë).
Në ndeshjen e fundit kundër Istanbul BB, rezervë tek skuadra e “luanëve” ishin Harri Kjuell dhe Elano Blumer, dy super yje që duhej të pushonin. Kjuell u inkuadrua më vonë në vend të Canës, ndërsa Elano nuk u inkuadrua fare. Cana më në fund startoi ndeshjen në vend të pazëvëndësueshmit Mustafa Sarp. Tashti 6 vende startuese po ndahen në këtë mënyrë. Lukas Neill luan qendërmbrojtës në tandem me Servet Çetin. Emiliano Insua është mbrojtës i majtë në vend të të lënduarit Hakan Ballta (që kishte një start katastrofal të sezonit). Sulmues i vetëm është Milan Barosh. Por, pasi që Barosh po ka probleme me lëndime ai po zëvëndësohet nga Herri Kjuell, pozita e të cilit është mesfushorë anësorë, por pasi që sulmuesi i vetëm rezervë, Mehmet Batdal nuk është adaptuar akoma dhe gjithashtu probleme me lëndime, atëherë po zëvëndësohet nga Kjuell. Kjuell është startues të shumtën e ndeshjeve, herë si mesfushorë ofanziv anësorë, herë si sulmues. Misimoviç që nga ardhja po luan mesfushorë ofanziv qëndrorë ndërsa Pino po aktivizohet në anën e djathë të mesfushës në vend të Ardas të lënduar. Të vetmit që po mbesin jashtë skuadrës startuese janë Elano dhe Cana. Tek Cana është një problem shtesë pasi që dy pozitat startuese të mesfushorëve qëndrorë defanziv janë të okupuara nga dyshja turke Ajhan Akman dhe Mustafa Sarp. Ajhan është nënkapiten i skuadrës ndërsa Mustafa ka zënë vend startues qysh me transferimin e tij sezonin e kaluar duke lënë jashtë skuadre edhe Mehmet Topalin që këtë vit u transferua tek Valencia. Për mendimin tim, as Ajhan, e as Mustafa nuk janë më të mirë se Lorik Cana në asnjë aspket, si teknikë, si fizikë, si taktikë, çfarëdo që ti krahasosh. Me rikthimin e Ardas në skuadër, do të mbetet një vend i lirë për të huaj, pos nëse sulmojnë me 5 veta, duke futur Elanon në vendin e njërit prej mesfushorëve qëndrorë. Por, marrëdhëniet e Elanos si me trajnerin si me kryesinë nuk janë aq të mira. Asnjëra palë nuk e ka pritur këtë situatë, të jenë së bashku edhe këtë sezonë. Gallatasaraj është munduar ta shes në çfarëdo mënyre. Ai është munduar të gjej një skuadër të mirë, cilësore. Prandaj nëse vjen të krahasohet angazhimi i Elanos me Canën, mendoj se Cana ka përparësi. Por, për të luajtur Cana, njëri nga Ajhan apo Mustafa duhet të pushojë. Unë mendoj se Ajhan nuk duhet të aktivizohet para Canës, pasi tashmë është 33 vjeçar, por ka 10 vite që është në Gallatasaraj. Mustafa ka ardhur më vonë, por është shumë më i mirë se Ajhan. Sidoqoftë një Lorik Cana, ndër mesfushorët qëndror më të mirë në Evropë, të qëndroj në bankën rezervë është e palogjikshme. Po të ishte ndonjë skuadër tjetër super e fortë, Real, Barselona, Çelzi, apo Milan, do të ishte më e logjikshme. Por, është Gallatasaraj. Në një farë mënyre planet e Canës, për të luajtur standard, dhe për të marrë pjesë në garat evropiane dështuan.
Ndoshta mund të jetë viti më i keq në karrierën e tij, por në janar ndoshta mund të ndryshojnë gjërat. Kohëve të fundit po qarkullojnë zëra për një transferim të Canës tek PSZH, aty ku filloi karrierën. Nuk di si do të pritej nga tifozët pas largimit të tij tek Marsejë, dhe si do ta gjej veten në një mesfushë të udhëhequr nga kapiteni Klod Makelele. Të luash përkrah tij është një përvojë shumë e mirë, por nuk e di PSZH a luan me vetëm një mesfushor qëndror apo me dy. Sidoqoftë, urojmë që kjo periudhë e errët për kapitenit, dhe lojtarin më të mirë shqiptar të futbollit modern të kaloj. Arsyetimet e Rajkardit dhe Pollatit janë të pabaza. Cana nuk është për bankë rezervë.
Luan Morina
Kolumnist i rregullt për Shqipmedia