Categories
Filma

A Star Is Born (2018) – Recensim

Nëse pas mësuesit/mësueses së parë, në listën e mësimdhënësve tuaj të jetës nuk vendoset emri i David Attenboroughs, besomëni që çdo titull, sukses, apo notë që keni marrë ka një * sikur ai të cilin ia kanë lënë vendit tonë të vogël. Njëra ndër luftërat më të mëdha të këtij edukatori të njerëzimit është ajo kundër plastikës. Dhe plastika rrezikon të shpërblehet me Oskar para pranverës së ardhshme! Asgjë për t’u çuditur këtu, pasi Oskarët kanë humbur artin moti kohë. Çmimi për regjisorin më të mirë, edhe këtë vit do t’i shkoj një meksikani, në inat të Trumpit.

Emma Stone (La La Land), Reese Witherspoon (Walk the Line), Catherine Zeta-Jones (Chicago), Anne Hathaway (Les Miserables), janë vetëm katër emra të shpërblyer me çmimet më të mëdha në kinematografi për aktrim, përfshirë edhe Oskarët për rolet ku kanë kënduar. Mund të përmendi edhe 30 aktore tjera të cilat kanë aftësi të këndojnë, dhe mbi të gjitha të aktrojnë më mirë se Stefani Joanne Germanotta. Pseudo-aktorja e cila ka një shprehje fytyre më të ngurtë se Kristen Stewart, një ide interesante të filmit e bën bërllok falë të shumë-pëlqyerit nga unë, Bradley Cooper.

Debutimi i tij si regjisor dhe skenarist me një film i cili vjen në versionin e tretë të ‘A Star Is Born’ është katastrofal! Dështim total, në çdo aspekt! Filmi të kujton si një kolazh fotografish (pasi skenat janë tejet të shkurtra) të përziera në një film prej 2 orë e 16 minuta. Paramendo të qëndrosh 136 minuta para një ekrani, në së paku 70 skena të ndryshme (nuk i kam numëruar!) pa përfshirë hyrjen dhe mbylljen.

Pastaj çfarë kemi speciale nga aktrimi? Pshurrjen në skenë të Bradley Cooper? Lotët e Stefanisë të cilët rrëshqasin lirshëm mbi plastikën e saj? Një tregim ‘i dhimbshëm’ për një këngëtar pijanec i cili inspirohet nga plastika për t’u këndell, pastaj dëbohet nga një agjent i cili i thotë të zgjedh ndërmjet vetes dhe të mirës për Ellin (jeni të mirëseardhur për këtë spoiler), kapet më vëllain e tij (aktrimi i Sam Elliott është e vetmja pjesë e mirë e këtij filmi), dhe… nejse mos të prishi edhe fundin për shkak të etikës së ‘profesionit’!

Aktet tepër të shkurtra, skenar i dobët i dialogëve, shumë klishe, aktrimi shumë fals i Lady Gaga, edhe regjia që sa niset të bëj diçka të shkëlqyeshme ndalet, ka edhe akte me 10 sekonda, që e jep një ndjenjë sikur po ngutesh edhe veç po kalon nëpër film shkel e shko.

Mos humbisni kohë! Është film bërllok, një pseudo-romancë e cila nuk sfidon as atë të Twilightit! Një regji që të sfidon durimin, një skenar që të kujton telenovelat latino-amerikane. Bërllok! Nota personale: 2/5