Categories
TV Reviews

A Teacher – Sezoni 1

Sa prej jush keni ‘imagjinu’ lidhje me mësimdhënësit tuaj?

Jo?!

Domethënë edhe ju sikur unë nuk paskeni pasur mësimdhënëse të reja, dhe keni qenë shumë të rinj të mos e kuptoni kompleksin frojdian!

Kate Mara, të cilën mund ta kujtoni si gazetarja e famshme tek ‘House of Cards,’ vjen në rolin e një mësimdhënëseje të re në një gjimnaz Teksasi, në një lidhje të pakënaqshme me të dashurin e saj ende me ëndrra fëmijërore. Ajo nis një lidhje të pazakontë me njërin nga nxënësit e saj, Nick Robinson nga ‘Love, Victor’, e cila lidhje shtjellohet në të gjitha etapat e një lidhjeje të rëndomtë, veçse përfshirë edhe rrethanat e ‘pazakonta’.

Mund t’i duket dikujt si ‘diçka nga ëndrrat’, apo ndonjë temë e mirë e filmave për të rritur, por në fakt është një seri që provon të shtjellojë marrëdhëniet mësimdhënës-nxënës dhe përshkallëzimin e tyre jashtë normales, duke u përqendruar edhe në rezultatet e pasojat psikike, shoqërore, e fizike të kësaj.

Pra, në vete ngërthen më shumë një mesazh, një imazh edukativ e përkrahës për të gjithë ata që mund të jenë viktima të asaj që mund të ju duket ‘pjesë nga ëndrrat’.

Aktrimi dhe harmonia skenike e të dyve është goxha e mirë. Edhe Kate Mara, edhe Nick Robinson, përshtaten në karakteret e tyre. Personalisht, Kate Mara më duket se ka mangësi në mimikën e saj në përçimin e emocioneve të ndryshme, të cilat nuk janë të pakta në këtë seri prej dhjetë episodeve. Në anën tjetër, Nick Robinson është më emocional.

Skenari është i shtrirë mirë, mbërthen gjithçka, nga fillimi deri në disa vite më pas, prandaj s’do të mbeteni duke kërkuar më shumë në fund. Do të keni gjithçka, nëse vendosni ta shihni.

Edhe pjesa teknike, sidomos fotografia, është në nivel me pjesën tjetër të serisë. Nuk është diçka e veçantë sa i përket pjesës artistike, por seri goxha edukative. Sepse imagjinata është e shëndetshme vetëm në imagjinatë. Nota personale: 4/5