Categories
Filma

Abacus, Small Enough to Jail (2016) – Recensim

Cila është shuma më e madhe për të cilën është ngritur aktakuzë korrupsioni në Kosovë? Po, ai kushti që duhet të plotësohet pas aprovimit të demarkacionit, dikur kah viti 2024? 50 euro? 60 euro?

E krejt e dimë që korrupsioni është i përhapur shumëfish euro më shumë në vendin tonë. Ama, krejt problemi, krejt lufta zhvillohet me të vegjlit.

Ngjashëm ndodhi edhe me Abacus në SHBA gjatë krizës financiare të viteve 2007-2008.

Çfarë ka ndodhur me atë krizë financiare, do të mund të shpjegohej në shumë mënyra nga njerëz më të njoftuar me këtë punë. Dyshoj që ka shumë, por një gjë që dihet është që kapitalizmi nuk është zgjidhja e duhur! Jo sipas meje!

Kriza financiare kishte shpërthyer kur kishte rënë numri i tregtimeve në bursën Dow Jones, që kishte ardhur vetëm dy javë pas falimentimit të bankës investuese Lehman Brothers. Refuzimi i qeverisë për të mbuluar borxhet e bankave të cilat nuk kishin mundur ti mbulonin shpenzimet e tyre, kryesisht kinse për shkak të moskthimit me kohë të huazimeve për patundshmëri, kishte nisur krizën financiare, e cila është portretizuar goxha mirë tek filmi ‘The Big Short’.

Abacus është një institucion mikro-financiar i cili kryesisht huazon tek banorët aziatik në SHBA në lidhje me blerjen e patundshmërive me anë të kredive. Dhe për të njëjtën punë që kanë bërë institucionet e mëdha financiare si Citigroup për shembull, krerët e të cilëve kanë marr bonuset e mëdha përkundër falimentimit të kompanisë, vetëm Abacus akuzohet për shkeljen e ligjit.

Kjo nis një luftë të gjatë juridike ndërmjet Abacus dhe prokurorisë, e cila më shumë ngjan në një persekutim të një peshku të vogël, derisa peshkaqenët terrorizojnë të tjerët lirshëm. Është një dokumentar që sjell atë që të gjithë e dimë, por e aprovojmë pa pyetje – mosfunksionimin e sistemit dhe frikën për të ndryshuar. Nota personale: 4/5