Filmat për mbijetesë në det kanë qenë jo të paktë në numër viteve të fundit. Disa që mund t’i përmendim do të ishin ‘All Is Lost’ me Robert Redford që ishte shumë më i mirë se ‘Unbroken’ i Angelina Joliet, por jo më i mirë se ‘Life of Pi’ që mbetet më i miri nga këta tre, dhe më gjerë. ‘Adrift’ është një tentim për t’u shtuar në këtë listë, por për mendimin tim mund të mbetet vetëm në fund të kësaj liste, duke konkurruar vetëm një produkt tjetër të dështuar të Angelina Joliet si regjisore.
Edhe tek ‘Adrift’ kemi një tregim të vërtetë, një çift të rinjsh të cilët mbetën në luftë për mbijetesë në mes të oqeanit pas njërit nga ‘uraganet më katastrofike në histori’. Ka dallime me titujt e lartpërmendur, sigurisht, të cilat nuk po i përmendi këtu për të ju kursyer nga ndonjë ‘spoiler’ eventual, por ideja është e njëjtë. Një anë pozitive e filmit është që nuk zgjat as 100 minuta, duke u renditur në atë kohëzgjatjen ‘e durueshme’.
Regjia vjen nga Baltasar Kormakur punën e të cilit së fundmi e kam parë tek ‘Everest’. Edhe këtu pjesën e tij e realizon me zell, gjersa edhe skenari, fotografia, e sidomos në kësisoj filmash ka rëndësi zërimi, që të gjithë janë në nivel. Shailene Woodley e Sam Claffin vijnë në rolet kryesore, me një harmoni jo edhe shumë për t’u veçuar.
Nuk është film i keq, aq më pak për ata të cilët janë të interesuar në kësisoj filmash mbijetues. Problem im ka të bëjë më shumë me temën. Nota personale: 2/5