Categories
TV Reviews

Aerial Britain – Sezoni 1

Është një bukuri e veçantë për dokumentarët ‘ajror’. Pamja që ofrojnë nga syri i shpendit na jep një vështrim më të gjerë, më të plotë mbi një botë pakufi. Dhe pas serive të bollshme të këtij zhanri për SHBA-të, Francën, e Kanadanë, më në fund kemi edhe një mini-seri për Britaninë e Madhe.

Janë katër episode që përqendrohen në rajone të Anglisë – Jugore dhe Veriore, Uellsin, dhe Skocinë. Sigurisht që një episod një orësh është minimal për të sjellë një pamje të detajuar të më të mirave të këtyre regjioneve, por shpresa gjithmonë është që të ketë sezon të dytë.

Si zakonisht – vetëm me narracion, pa zbritur shumë në tokë – episodet sjellin pamje të vendeve më të rëndësishme historike, bukurive natyrore, mrekullive industriale, dhe qendrat kulturore që bëjnë Britaninë të njohur nëpër botë.

Ndër lokacionet që u kushtohet më shumë hapësirë janë Pallati Mbretëror Buckingham, kështjella e Mbretit Arthur, Liverpulli i Beatles, skena e Wuthering Heights të Emily Bronte, ishujt bregdetar të Uellsit, rrafshnaltat e Skocisë, dhe shumë tjera.

I shkurtër, i shpejtë, sikur kalimthi na dërgon nëpër këto dhe vende tjera ky sezon i ‘Aerial Britain’. Nevojiten më shumë episode, së paku edhe një sezon. Deri atëherë ky mbetet vetëm një gërvishtje mbi Britaninë e Madhe nga ajri. Nota personale: 4/5