Nuk di çfarë tjetër mund të shtoja që nuk kam shkruar në recensimin e sezonit të dytë, pos për fundin, dhe sezonin e katërt.

Derisa zhytemi më thellë në jetën e Tonit, dhe fundit të jetës së Lisës, arrijmë edhe te ajo pika që i frikësohemi të gjithë – a do t’i japë fund jetës së tij Toni, apo njëmend është më mirë.

Kur humb dikë nga familja e ngushtë, me të cilët për së paku nja 10 vite ke ndarë gjithçka në jetën e përditshme, ndien një pjesë të zemrës të shkëputet, sikur akullnajat e Arktikut, derisa jeta jote kurrë më nuk do të jetë e njëjtë.

Por, jeta vazhdon, dhe pa marrë parasysh sa kohë merr rikuperimi, një muaj a një vit, a dhjetë vite, shërim nga humbja e dikujt të afërt nuk ka. Ka vetëm adaptim. E rikuperimi është ajo faza derisa mbledh veten e mësohesh të jetosh, e të gjesh buzëqeshjen, dhe ditën kur nuk do të mendosh për Lisën!

Toni, disi, ia del të përballet me ato që u frikësohet më së shumti, dhe vendos të bëj diçka të pabesueshme më parë për të në lidhje me Lisën. Dhe në këtë seri ai portretizon një karakter si vetja – që nuk beson në botën e amshueshme.

E besimi në jetën pas vdekjes është njëfarë mburoje e neve të “dobëtëve” të cilët duam të takojmë edhe një herë së paku, ashtu siç na vinë në ëndrra goxha reale, ata që i kemi humbur. Sepse fotografitë e videot që i kemi bërë pa e pasur idenë që do i kemi kujtime kaq të çmuara, nuk na dëgjojnë.

Vërtet jam i kënaqur goxha shumë me fundin e kësaj serie, dhe përgjithësisht punën që ka bërë Ricky Gervais përgjatë të katër sezoneve. Ka bërë diçka që nuk e kam pritur nga ai, por që më ka mahnitur.

Për mua, Ricky Gervais mbetet njëri nga më të mirët në zanatin e tij, sidomos në komedinë thumbuese. Nuk di çfarë do të bëj në të ardhmen, a do të bëj diçka tjetër. Por deri sot, nuk më ka zhgënjyer, asnjëherë!

E ‘After Life’ për shumëkënd është një ngushëllim për të cilin do kemi nevojë në momente të ndryshme të jetës, e nga i cili ngushëllim mund të mësojmë shumëçka. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: