Në katundin tonë ka shumë agallarë!

Bile, shprehja më krenare që mund t’i jepet dikujt është ‘aga Luan’!

Me agallarë nënkuptohet dikush që e shijon jetën – rri këmbë mbi këmbë, shtrirë mundësisht, mbështetur në shilte derisa djeg kaçakun në llullë e frynë tymi në njërën anë të buzëve nën mustaqet ngjyrë limoni.

Sigurisht, agallarët e këtillë kanë vdekur.

Por, a vdes tradita?!

Tradita është gjëja më e pasur tek shqiptarët, dhe mendoj që kjo vlen vetëm për një shkak – ne jemi shumë dembelë që të krijojmë diçka të re!

Prandaj, më e mira dhe më e lehta është ruajtja e traditës sepse kjo nënkupton të vazhdojmë ato çfarë kanë bërë paraardhësit, e sidomos nëse paraardhësit kanë qenë agallarë!

Agallarët kanë pasur edhe një veti tjetër – kanë rrahur gratë!

Në katundin tonë, ka pasur shumë që kanë shtypur gratë, por të jem i sinqertë nuk mendoj që kjo është një veti veç e katundit tonë!

Të konsideruara si klasë dytësore, gratë e katundit tonë kanë bërë më pak hapa se sa lopët që kanë mjelë po ato gra!

Po, më shumë liri për të dalë jashtë shtëpive kanë pasur lopët se sa gratë!

Ky fakt ka ndryshuar, fatmirësisht!

Kryesisht sepse 95% e shtëpive kanë larguar lopët!

Agallarët nuk e duan punën!

Prandaj, agallarët e kanë pasur vendin në ‘sokak’. Dhe atë pranë xhamisë së fshatit, varësisht në drejtim të së cilit pol. Pasdite e agallarëve kanë qenë në sokak, duke pritur të kalojë ndonjë veturë eventuale në vitet e rilindjes ekonomike pas LNÇ-së!

Tashti, vetura kemi sa të duash, por agallarët janë pakuar.

Megjithatë, ende kemi nipat e nipave, të cilët nuk e lënë të vdesë kjo traditë assesi.

Ka pasur ide që të ketë kafene larg rrugës kryesore, por këto ide janë tretur. Sepse agallarët duan të shohin se kush po ecën e çka po kalon.

Dhe, kur kalon andej nga agallarët, sidomos ata që pas namazit vendosin të shijojnë jetën agallarçe, shpohesh nga shikimet e gjykimet e jurisë së agallarëve. Sidomos nëse je grua!

Të ecësh nëpër katundin tonë, një apo disa gra, nëpër rrugën kryesore është ferr. Varësisht se në çfarë distance duhet të shkosh, do të kalosh nëpër dy-tri turma agallarësh, të cilët këmbështrirë rrinë e gjykojnë, derisa çojnë qejfin me eurot që i kanë marrë nga diaspora që ende ushqen parazitë!

Se sa e duan ‘sokakun’ katundarët tonë, tregon fakti që në çdo punim eventual – kanalizim, fibër optik, ujësjellës, është dashur të pritet gjysma e sokakut. Sepse agallarët megjen e kanë mu në sokak.

Por, gjërat po duken mirë!

Numri i agallarëve është pakuar, e gjenerata e reja e ka kuptuar se sa budallallëk është kjo ide. Dikur do të varrosim edhe agën e fundit të katundit. Keq që varrezat nuk janë afër sokakut.

E së paku kah varrezat, gratë po kalojnë të lira, larg shikimeve shpuese të ‘agallarëve’!