Në Alaskë, larg jetës së rrëmujshme, zhvendoset Ajlina, një gazetare hulumtuese e cila kërkon të gjejë një pikë rifillimi për të pastruar emrin e saj profesional. Ajo është akuzuar dhe dëbuar pasi një hulumtim i saj nuk kishte arritur të gjente prova nga publiku dhe organet e rendit, duke humbur besueshmërinë te publiku i gjerë.

Ajlina megjithatë mendon që është manipuluar e vërteta, dhe këtë dëshiron ta dëshmojë në librin e saj.

Në rolin e Ajlinës është Hilary Swank, të cilën sigurisht e keni parë më herët nëpër filma të ndryshëm, nisur nga Million Dollar Baby për të cilin ka marrë Oskar.

Kur një ish-koleg i ofron punë si gazetare hulumtuese në Alaska Daily, ndonëse hezituese në fillim, ajo arrin të bind veten kur kupton temën që duhet të hulumtojë – zhdukjen e grave vendase në shtetin e Alaskës.

Kolegu i saj është Stenlli, luajtur nga Jeff Perry të cilin mund ta njihni nga Scandal.

Hulumtimi i një teme për të cilën as policia lokale nuk arrin të zbulojë shumë fakte nuk është një punë e lehtë, aq më pak në një vend të largët nga opinioni publik si Alaska. Shto kësaj kushtet e vështira që kanë gazetat në ditët e sotme, dhe pronarët me interesa të shumta e jo të gjitha legale, në fund kemi një mision pothuajse të pamundur, që të shtynë të shkruash vetëm lajme të kota shoubizi.

Sezoni i parë i ka 11 episode, dhe nuk kam informata të sakta nëse është porositur sezoni i dytë. Tema kryesore shoqërohet nga ngjarje tjera jo medoemos të ndërlidhura me zhdukjen e grave vendase, që i bëjnë episodet të jenë interesante dhe të mos humbim interesimin.

Është një seri që fatkeqësisht sot ngjallë një nostalgji te ne që na mungon tingulli e aroma e gazetës. Nota personale: 4/5