Zori

Ekziston një film me këtë emër. Nuk e kam pa, dhe as nuk do ta shoh. Veç shihja titullin!

Me zor kemi fituar kundër Sassuolos. Jo që nuk e kemi merituar, jo që e kanë merituar ata, por ne është dashur të fitojmë më lehtë. Me një lojtar më shumë në fushë dhe të fitojmë vetëm në fund është çmenduri.

Ajo çfarë po më pengon tek Mihajlovicin, në mesin e pak gjërave është hezitimi për të bërë ndryshime në kohën e duhur. Ky hezitim na ka kushtuar me dy pikë të humbura në Torino, jo gabimi i Diego Lopezit. Edhe të dielën Luiz Adriano është dashur të angazhohej më herët. Të mos futeshim në zor. Me rëndësi që fituam tre pikë.

Gianni

Donnarumma mund të ketë talent. Mund të ketë të ardhme të ndritur. Por, për momentin vetëm është duke u shfrytëzuar si karrem kokëfortësie i Mihajlovicit. Nuk besoj se Gianni është ndonjë super-talenti edhe pse me Locatellin e Cutronet vlerësohen si e ardhmja e Milanit, mos të harroj edhe Calabrian. Ama si 16 vjeçar të mbroj portën e njërës nga skuadrat që pretendon të jetë në krye të Italisë duket pak e çuditshme. Casillas kishte mbrojtur si 19 vjeçar në finale të Ligës së Kampionëve. Por, ai është Casillas dhe ka qenë tre vjet më i pjekur.

Diego Lopez ka shpëtuar Milanin sezonin e kaluar. Por, kjo nuk ka asnjë pikë rëndësie tek Sinisa me sa duket. Dhe ashtu duhet të jetë. Respektimi për të tjerët na ka bërë të jemi këtu ku jemi sot. Si dhe padituria e Ancelottit për tranzicion.

Vendimet e çuditshme të Sinishës vazhdojnë me angazhimin e Cercit dhe Alexit përsëri. Dhe duket se do të jenë edhe kundër Chievos në formacion. Nëse diçka do ti kushtoj Mihajlovicit me punë, atëherë është kokëfortësia. Kjo i kishte kushtuar tek Serbia, por aty kishte pasur të drejtë që nuk kishte dëgjuar qejfet e agjentëve. Tek ne mund të jetë gabim. Cerci startues?! Ani Alexi???!!!!

Paloschi

Meggiorini ka nis sezonin për merak tek Chievo. Mosprezenca e tij eventuale kundër Milanit mund të jetë një fat për neve.

Paloschi dhe Birsa, ish-milanistët po kalojnë sezon të shkëlqyeshëm. Sikur Meggiorini edhe ata e kanë nisur mirë, por Chievo nuk është ajo e fillimit të shtatorit. Duhet të mos kemi probleme, sidomos nëse nuk gjuajnë shpesh në portë. Ndoshta Birsa mund të shënoj nga goditja e lirë!

Dëshiroj të përmend një fakt të përgjithshëm këtu, tek lojtarët që shkëlqejnë në ekipe tjera, si Paloschi e Birsa këtë rast. Ekipi nga ekipi ndryshon, dhe nuk duhet të na mbetet hatri se edhe tek ne ndoshta do të kishin shpërthyer dikur.

Taiwo e i madhi Bakaye Traore kanë qenë standard në Bursaspor. Tabare Viudez gjithashtu në një ekip turk. Constant gjuan goditjet e lira në Trabzonspor. Ama asnjëri s’do të kishte pasur sukses tek ne.