Categories
Televizioni

All Creatures Great and Small – Sezoni 1 (pa spoilera)

Veterinarët duhet të kenë më shumë respekt se sa mjekët! Për shumë arsye, të cilat edhe po t’i shpjegoja, mjekët do t’i injoronin, sepse shumë nga ata janë të gjithëdijshëm dhe në fjalët e tyre ‘shum mir te njoftuar’.

Dhe tek adaptimi modern i ‘All Creatures Great and Small’ kemi një ordinancë veterinare në Anglinë rurale, Jorkshajërin e vitit 1937.  Në këtë ordinancë, i përshkruar si një ekscentrik, Zigfrid Farnon punëson si stazhier Xhejms Herriotin. Me këta dy, në këtë shtëpi-ordinancë, jetojnë edhe vëllai i vogël i Zigfridit, Tristani, dhe kujdestarja e shtëpisë, zonja Holl.

Secili nga këto katër karaktere është i veçantë në vete – Zigfrid është ‘shefi’ ekscentrik, me një stil prindëror klasik që me një lloj indiference dhe zhvlerësimi trajton stazhierin, e mbi të gjitha vëllain e tij. Xhejmsi është ai ‘i urti’ i cili provon të marrë miratimin e Zigit me punë dhe mirësi, duke provuar të dëshmojë veten, derisa Tristani është më ‘rebel’ dhe ‘shpirt i lirë’. Krejt këta i mban ‘në vijë’ zonja Holl.

E ajo çfarë e bën këtë seri edhe më të bukur janë relacionet që kanë kjo katërshe me komunitetin, nga relacionet profesionale deri tek ato romantike.

Të kujdesesh një kafshë është një virtyt më i madh se sa të kujdesesh për një njeri. Dhe ky virtyt i përbashkët i këtyre dhe karaktereve tjera, i jep hijeshinë kësaj serie. Kjo hijeshi madhështohet me peizazhet dhe ngjyrën e fotografisë së Jorkshajërit, pa harruar edhe kulturën shoqërore të periudhës para Luftës së Dytë Botërore, që nga veshmbathja, mirësjellja, ngjarjet shoqërore, e çiltërsia humane karshi njerëzve dhe mbi të gjitha kafshëve.

Ka edhe momente që për çdo njeri normal që i do kafshët mund të jenë të rënda, por nuk janë aq grafike. Vet seria provon të jep një ngrohtësi e rehati gjatë shikimit të episodeve, dhe kjo nuk dëmtohet as me anë të përçimit të vuajtjeve të ndryshme të kafshëve të ndryshme. Të gjitha këto, aktrimi, skenari, fotografia, dhe pjesët tjera që përmenda, përmbushin misionin e kësaj serie, që pritet të kthehet për sezonin e dytë pas gjashtë episodeve dhe një speciali, në sjelljen e një historie origjinale me kohën dhe rrethanat. Nota personale: 5/5