Categories
Filma

All Quiet on the Western Front (1930) – Recensim

Pak, shumë të paktë janë filmat që tregojnë luftën në realitetin e saj përbindësh. Njëri ndër ta është ‘All Quiet on the Western Front’.

Si gjeneratë e luftës, e cila ka përjetuar tmerr më shumë se tre muaj bombardime që konsiderohet si luftë, ne bindim të tjerët se kemi përjetuar luftën. Më datë 22 gusht të vitit 1914, në vetëm një ditë, Franca ka pësuar 27 mijë ushtarë të vrarë. Gjatë luftës tonë janë vrarë 11840 civilë, sipas statistikave që mund të gjejmë në arkivat kosovare! Edhe për neve, ata 16 muaj kanë qenë tmerri më i madh, nga i cili as njëzet vite më pas nuk mund të këndellemi psiqikisht!

Këndellje e lehtë s’do të jetë as pas këtij filmi. Për tu sqaruar, janë dy versione të këtij filmi, dhe këtu do të shkruaj për të parin, origjinalin! E kur them këndellje, nuk dua të ju frikësoj me pamjet e llahtarshme që mund të shfaqen, pasi nuk ka shumë të tilla. Këndellja është më e zorshme nga tru-shpëlarja e të rinjve të cilët lëshojnë bankat e gjimnazit në ndjekje të lavdisë së një ushtari.

Fakti që filmi vjen nga libri i një veterani të Luftës së Parë Botërore, gjermanit Erich Maria Remarque, e bën këtë libër edhe më të besueshëm. Fitues i dy çmimeve Oskar – filmi më i mirë i vitit, dhe regjia më e mirë e bërë nga Lewis Milestone i cili ka disa filma interesant të para viteve 1960ta, përfshirë edhe të fundit që vjen në dekadën e shtatë të shekullit të kaluar, ‘Mutiny on the Bounty’.

Gjithçka nis me një fjalim fjalëmadh të një profesori i cili përmend lavdinë e cila i ndjekë përjetë të gjithë ata që shkojnë të “mbrojnë atdheun”. E tërë klasa përnjëherë niset për t’u regjistruar si ushtarë. Pak kohë pas fjalimit dhe regjistrimit, fjalimi i profesorit mbaron, dhe nis lufta e ‘zhveshur’.

Gati 90 vite pas këtij filmi, luftën e përjeton secili në video-lojëra të ndryshme, në dokumentar të ndryshëm, por askund termi ‘luftë’ nuk zhvishesh sikur në ‘All Quiet on the Western Front’. Por, përkrah luftës më së miri zhvishet edhe tru-shpëlarja klasike, lehtësia e manipulimit të masës së të rinjve me premtimin e lavdisë që do të sjell lufta.

Lavdi për ata 27 mijë ushtarë të vrarë në Francë në atë ditë vere nuk kishte ardhur kurrë. Kishte ardhur edhe një luftë tjetër me përmasa botërore e cila tashti do të merrte numrin, e s’do të quhej vetëm ‘Lufta e Madhe’. Lavdi dhe ideali i tyre ishte zhbërë brenda dy dekadave. Dy dekada kanë kaluar edhe nga vdekja e 11840 civilëve në luftën tonë të fundit. Lavdi i tyre tashti përdoret vetëm për të emëruar ndonjë rrugë dhe për të pasuruar përfituesit e vdekjes së atyre 11840 jetëve, të atyre zemrave që tashmë gati dy dekada kanë pushuar së rrahuri!

Nuk ka film që përshkruan luftën më mirë se ‘All quiet on the Wester Front’. Është një film që duhet të shikojë secili në momentin që konsiderohet i pjekur, të nesërmen e ditëlindjes së tetëmbëdhjetë. Nota personale: 5/5