Categories
Milan

Allegri-a

Shumë është vështirë të gjendet fajtori kur skuadra në përgjithësi nuk funksionon. I pari që do të akuzohej për barazimin ndaj Lacios është Allegri. Çka ka gabuar Allegri?

Duhet të filloj herët, aty nga fundi i korrikut. Problemi i parë është kampionati botëror. Pirlo dhe Gatuzo kanë qenë në Afrikë Jugore me Italinë, dhe kjo i ka larguar dy-tri javët e para të stërvitjeve. Gjithashtu Pirlo ka qenë i lënduar për pak kohë. Kjo i ka pamundësuar Allegrit të provoj të gjithë skemat e mesfushës. Shumë lojtarë nga skuadra e të rinjve janë aktivizuar gjatë ndeshjeve përgatitore. Ndoshta nuk keni harruar akoma Straserin, Merkelin, Novinçiçin dhe djemtë tjerë të primaverës kuqezi. Ata kanë zëvëndësuar “elitën” kuqezi gjatë përgatitoreve dhe kanë qenë mjaft të suksesshëm. Megjithatë, Fllamini ka patur paraqitje shumë të mira, mirëpo kur nevojitej më së shumti ai u lëndua. Si një trajner i ri të bësh ndryshime ekstreme, duke larguar një mesfushë që ka fituar Championsin kur Allegri ka luajtur për skuadra amatore nga Serie D e E (Aglianese, 2003), ndërsa ka qenë trajner i skuadrave të Serie C (Sassuolo, 2007) kur ajo mesfushë është bërë kampione jo vetëm evropiane por edhe botërore, nuk është një vendim i lehtë, dhe duhet tepër guxim. Po të ishte i sigurt se mund të haste në përkrahjen e një pjese të skuadrës apo kryesisë ndoshta do e kishte bërë, por shumë gjëra kanë ardhur në konsideratë. Dështimi i tij në Milan, mund të jetë pika më e lartë në karrierën e tij. E di që mund të thoni pse e ka marrë skuadrën e Milanit kur e ka ditur shumë mirë situatën? E po Milani është edhe e vetmja mënyrë për të arritur diçka, së paku një ndeshje të fituar në Champions. Për të bërë ndryshime radikale duhet kohë. Dhe me kalimin e kohës Milani do të kthehet në binarë. Edhe me Leonardon nuk u këndellëm para xhiros së tetë. Me Allegrin kjo mund të ndodh më herët. Flamini është kthyer për mesfushë dhe së bashku me Boateng mund të ndërtojnë një mur të pakalueshëm në mesfushë. Dalë nga dalë, Allegri do të (duhet patjetër) të largoj nga skema lojtarë si Inzagi, Ambrosini, Sedorf, Gatuzo, e Pirlo. Me gjithë rrespektin për kontributin e tyre, koha e tyre ka kaluar. Tani duhet të largohen krenar nga skuadra për gjithë atë që kanë bërë, dhe kanë bërë shumë më tepër se të gjitha yjet tjera të Serie A. Cikli i tyre ka përfunduar dhe duhet të filloj një i ri. Allegri mund të jetë lideri i një skuadre të re, një “superskuadre” të re, por duhet guxim dhe mbi të gjitha durim. Barazimi me Lacion nuk ësht rezultat dëshpërues. Dëshpëruese janë rezultatet paraprake, me Çezenan dhe Katanian. Sidoqoftë Lacio nuk na ka mposhtur ka 12 vite. Dhe akoma nuk do të na mposht.

Shpresë se gjërat po ndryshojnë më jep aktivizimi i Zambrotas dhe Abates në krahë të mbrojtjes. Qendërmbrojtja nuk po merr përkrahje të mjaftueshme nga mesfusha. Dhe kjo nuk mund të pritet nga lojtar të vjetër si javën e kaluar, Sedorf, Gatuso, e Pirlo që ishte fajtori ndoshta kryesor që lejoi depërtimin në rastin e golit. Flamini pas inkuadrimit ka pritur së paku dy goditje nga Hernanes, sepse vraponte. Boateng nuk ka mundur të bëj më shumë në mbrojtje sepse ka qenë sulmues, paramendojeni Pato në vend të Boatengut të kthehej në mbrojtje. Nuk do të ndodhte as për një dekadë. Vendos Robinjon në pozitën e Boateng dhe kthe ganezin mbrapa me Fllamini. Pozita tjetër në mesfushë le ti takojë Pirlos apo Sedorfit, të cilët mund të ushqejnë sulmin me pasime, edhe pse jam shumë skeptikë, por Boateng dhe Flamini nuk duhet të jenë rezervë. Abate nuk është për mbrojtës anësorë. Po të luajnë dyshja Boateng-Flamini, lirisht mund të inkuadrohen anësorët, Odo dhe Zambrota (që përsëri pati një lojë shumë të mirë), të cilët janë shumë më të mirë se Abate, dhe Bonera. Antonini nuk është duke luajtur keq kohëve të fundit, por më i mirë është Zambrota. Krahasojeni goditjen e Zambrotas me atë të Boneras në ndeshjen e parafundit. Me atë goditjenqë përfundoi në rivënie anësore. Hë?! Thuajeni që Zambrota nuk është shumë më i mirë se Bonera për mbrojtës anësorë. Nuk kemi harkues më të mirë se Odo e Zambrota, dhe harkimet e tyre mjaftojnë për Ibrën gjigant i cili dalëngadalë do të adaptohet në lojën tonë.

Gjërat eventualisht do të fillojnë të lëvizin, në këtë javë apo tjetrën, dikur do të marrim këmbët. Sa më herët aq më mirë. Por, mos shkoni në rëndë në Allegrin. Tri ditë para përfundimit të afatit të transfereve ai mori dy lojtarë të cilët duhet të jenë startues, dhe pastaj kërkoni që ti adaptojë në sistem të lojës?! T’i adaptojë në një skuadër që tashmë 10 vjet nuk ka ndryshuar, (së paku mesfusha)! Nuk e ka të lehtë, por duhet të bëjë diçka. Të marrë guximin. Allegri mund të na shpie drejt suksesit, por nëse merr pak më shumë guxim dhe bën ndryshimet që duhen bërë.

Luan Morina

Kolumist i rregullt për ACMilan-Shqip