Categories
Milan

Allegria “-3”

Zakonisht në matematikë pas 2 vjen 3, por, gabimet e Allegrit mjaftojnë që të prishim rregullat matematikore. Arsyetimi i tij pas humbjes ndaj Ajaksit ishte: “Futbollistët nuk ishin të motivuar për fitore.” Po të fuste tërë skuadrën e të rinjve do të shihte motivimin i cili na mungoi atë natë. Çfarë ndryshime nga ndeshja me Breshën u bënë kundër Ajaksit?! Amelia, Bonera, Antonini dhe Dinjo. Unë prisja inkuadrimin e të rinjve pas nuk na nevojitej asgjë kjo ndeshje. Por, Allegri ka treguar amatorizmin dhe papjekurinë e tij për Ligën e Kampionve. Kjo jo që na kushtoi me humbje turpëruese (e quaj turpëruese pasi ishte skuadra e parë në fushë), por, humbëm dy lojtarët më të mirë këtë sezonë pas Ibrahimoviçit. Kemi një “kamion” me qendërmbrojtësa dhe “mistel” Allegli shkon e fut Tiago Silvën shtyllën e mbrojtjes, dhe të tërë skuadrës. Mungesa e Nestas në ndeshjet kyçe në sezonet e kaluara na kushtoi me turpërime (Favalli dhe Bonera ndaj Inerit dhe Mançesterit), e tashti do të na kushoi mungesa e një lojtari që është më i mirë se Nesta këtë sezonë, Tiago Silvas. Katër muaj nuk janë pak, por gjashtë janë shumë. Kaq do të na mungojë Tiago Silva dhe atë për arsye banale, inkuadrohet në një ndeshje ku nuk kishte kurrfarë vlere. Kjo është budallakia e Allegrit, gabimet e të cilit do të na kushtojnë me tituj. Tashti shtrohet pyetja kush do ta zëvëndësojë Silvan? E kemi Jepesin, Bonerën, Papasin, dhe një lojtar që e mbajmë për të mbërri gjësendet që gjenden mbi orenditët e larta në Milanello (Onjevun). Ai u transferua për të zëvëndësuar Kalaçin, i cili ishte goxha i gjatë! Arsye banale, por pse Onjevu është i vetmi që nuk është inkuadruar këtë sezonë në asnjë ndeshje, as ato miqësore?! Vitin e kaluar ka qenë i lënduar, por në verë ka patur një kampionat mjaft të mirë me SHBA-në. Sidoqoftë zgjedhja e parë e Allegrit do të jetë Bonera, i cili në ndeshjen e fundit (citoj mikun tim Shpendin, një milanist më i flaktë se unë) ishte thjeshtë një portë skijimi, dhe atë portë që përdoret në sllallom sepse ato në sllallom të madh janë më të vështira për tu kaluar. Në ndeshjen e fundit Bonera ishte vetëm një lojtarë që plotësoi numrin prej 11 vetave. Ai dështoi në anën e djathtë ndërsa në të majtën, do të jetë po aq i mirë sa ishte në Old Traford vitin e kaluar. Jepesi është i vjetër ashtu si Nesta, por ky nuk mund të krahasohet me suksesin dhe karrierën të mrekullueshme të Nestas. Papas nuk preferohet nga Allegri, pas dy ndeshjeve jo të mira, por përsëri fajësoj përzgjedhjen e Allegrit për të dy ato ndeshjet pasi Sokratis nuk mund të shtyhet me lojtarë të lartësisë së Bogdanit e Ibrahimoviçit. Onjevu nuk përdoret nga Milani. Kushedi, ndoshta kthejmë Favallin, ai shkëlqeu kundër Interit, dhe mund ta bëjë përsëri këtë vit. Pos Tiago Silvas kemi lëndimin e Fllaminit që falë Zotit nuk është aq i rëndë dhe nuk do të zgjat më shumë se festat e fundvitit. As ai nuk ka patur nevojë të inkuadrohet në ndeshjen kundër Ajaksit e cila ishte katastrofale. Sidoqoftë do të ndalem pak edhe tek gabimet tjera në këtë ndeshje, pos inkuadrimit të Silvas dhe Boneras.

Gabimi tjetër ishte mesfusha dhe sulmi. Thjesht nuk kishim sulm. Ronaldinjo ishte në gjumë, nuk bënte asgjë, ndoshta pozita e tij në këtë ndeshje ishte pak e pazakontë, por ai njeri duhet ta lëshojë Milanin, nëse dëshiron të ruaj atë formë të mirë që gjeti para disa javëve. Nuk mund të qëndroj në bankë dhe të shikoj “budallallëqet” e Allegrit. Ne humbëm një lojtarë të shkëlqyeshëm vetëm pse në një ndeshje funksionoi dyshja Robinjo-Ibrahimoviç. Ndërsa mesfusha ishte e përzier. Kishim Sedorfin dhe Pirlon që luanin bashkë e në fund, kësaj mesfushe iu shtua edhe Merkel dhe mbetëm me vetëm një mesfushor defanziv, fizik, edhe pse Boateng më shumë po luan mesfushor ofanziv. U duk edhe suksesi i “mendjes” së mesfushës sonë, i cili gjatë tërë ndeshjes bëri vetëm një pasim tek Robinjo, i cili nuk gaboi ishte në ofsajd. Pirlo shëtitej, dhe gjuante topa pa mend, vetëm të largoj nga këmbët e tij. Hiq më mirë nuk ishe edhe Sedorf. E nëse vazhdohen kontratat për këtë “estradën” atëherë unë thjeshtë nuk do të bëhem merak më për sukseset e Milanit, pasi e di që ato do të mungojnë për shumë vite. Më herët pata shkruar “Frika nga estrada”. Ishte deklarata e Kristian Gurkuf që më vërtetoi pohimet e mija se në skuadrën e Milanit ekziston një hierarki që mund të konsiderohet sikur një lloj “nëntoke” në jetën publike. Ai klan i pleqve duhet të largohet nga aty, e së bashku me ta edhe Tasoti. Ai ka patur një ndeshje kampionale kundër Kievos, ku mëzi kemi fituar 1:0, dhe turin e verës në SHBA. Nuk ka treguar asgjë dhe nuk kam besim në aftësitë e tija. Për ata që nuk e kanë lexuar, Kristian Gurkuf, babai i Joan Gurkuf, tregon vetëm disa gjëra që kanë ndodhur në taborin kuqezi gjatë karrierës së shkurtër të djalit të tij. Ai i kundërpërgjigjet Malldinit që kishte deklaruar se Gurkuf vazhdimisht vonohej në strëvitje, kurse sipas të atit kjo ka ndodhur vetëm dy herë. Gjithashtu deklaron edhe për ndërhyrjet e ashpra në vazhdimësi të Gatuzos në stërvitje që ia kishin përfunduar stinorin parakohe, dhe për lutjet që kishte patur Gurkuf që të rikthehej në Milan. Por, ai gjithashtu deklaroi se ka edhe disa gjëra që nuk mund t’ia thotë goja, dhe akuzon diktaturën e Ançelotit në kohën e tij. Nuk është që duhet të besojmë në gjithçka që thotë Gurkuf, edhe pse kjo vjen vetëm si kundërpërgjigje, pra nuk ishte ai i pari që filloi me sulmet ndaj Milanit, dhe dikush mund të thotë që ka disiplinë apo rend, por, unë nuk do e quaja rend dhe disiplinë këtë që ndodh në Milanello. Shumë e saktë që unë nuk jam aty dhe nuk di si qëndrojnë gjërat, por disa gjëra mund të vërehen në bazë të asaj që ndodh për shumë vite në Milan. Nuk duhet të mbajmë futbollistë shumë gjatë dhe pastaj të mendojnë që Milani është i tyre. Disa vijnë disa shkojnë Milani mbetet Milan, dhe nuk duhet të identifikohet në bazë të asnjë futbollisti, por futbollistët duhet të identifikohen nga skuadra. Kjo nuk po ndryshon, dhe nuk duket sikur do të ndodh në të afërmen. Si gjithnjë janë ata tifoz të pafajshëm që vuajnë për qejfet dhe gabimet e disa vetave.

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia