Për shumëkënd, thyerja e parë e zemrës ka qenë largimi i Marisë nga Kafe Rene!
Bashkë-ndiejmë me të gjithë adoleshentët e pasluftës që shkonin në gjumë me komeditë e KTV-së në ora 23:30, e nisnin ditën me Sandokaaaan, Sandokaaaan!
Do të doja të njihja përkthyesit e “Allo, Allo”-s, që të falënderoja për kreativitetin në përshtatjen e skenave me një gjuhë jo-standarde, që e bëjnë këtë seri më të mirën të shfaqur në ekranet kosovare!
Kudo që janë, faleminderit!
“Allo, Allo”, për ata që nuk e kanë parë, e që mund ta gjejnë, është një komedi e vendosur gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kafe Rene, në Francë. Rene Artua është nana e vakive. Ai është i martuar me Edit, dhe jeton me vjehrrën e saj, që është ndër plakat ma të mira ndonjëherë në seri!
Në Kafe Rene punojnë edhe Maria dhe Ivet. Me të dyja Rene ka afera jashtëmartesore, dhe çdo herë që zihet nga bashkëshortja gjen arsyetime që po diskutojnë për luftën, apo po fshehin armatim, e të ngjashme, arsyetime që vijnë pas ‘you stupid woman’.
Rene Artua, bashkëpunon me lëvizjen rebele kundër forcave naziste, me liderën e së cilës gjithashtu ka aferë, dhe krejt gratë tjera të lëvizjes, sepse është “alfa”. E njëkohësisht bashkëpunon edhe me pushtuesit gjerman të cilët mendjen e kanë te pasurimi pas luftës më shumë se te fitorja në luftë. Dhe pos që krejt gratë e katundit janë pas Renes, tipi është aq alfa sa që josh edhe gjermanët, në veçanti kolonelin Gruber!
Për 85 episodet dhe 10 vite të transmetimit, karaktere të ndryshme vijnë e dalin nga seria, por vetëm Rene dhe afiniteti që ka ndaj grave dhe të gjitha palëve në konflikt nuk zhduket.
Besoj që shumica e kanë parë, dhe e dinë madhështinë që ka kjo seri. Nuk prishë punë ta shohin edhe një herë, ose së paku inserte të ndryshme në YouTube. Madhështia e ‘Allo Allo’ është a paprekshme. Nota personale: 5/5