Dikujt i mjaftojnë 35 vjet që të bëjë punë të paharrueshme në jetën e tij. E dikujt nuk i mjaftojnë as 70 vjet për të bërë një gjë të dobishme.

Wolfgang Amadeus Mozart ka vdekur në moshën 35 vjeçare, në rrethana të paqarta, të cilat supozoheshin që ishin qartësuar disa vite më parë bazuar në gjetjet mortore të një kafke që supozohej se ishte e tija.

Nuk gabojnë kur thonë që historinë e shkruajnë të fuqishmit! Shembullin më të mirë e keni dallim ndërmjet historisë së pasluftës së dytë botërore, dhe pas komunizmit në Shqipëri.

Ky film, ndër më të mëdhenjtë në historinë e kinematografisë, nuk pretendon të sjellë një biografi të Mozartit. Më shumë është një ngjarje e trilluar, bazuar në një shfaqje teatrale të fundit të 1970tave.

Filmi nis me artistin më pak të njohur, Antonio Salieri, i cili fajëson veten nën akuzat që ka vrarë Mozartin. Ai gjendet nga ndihmësit e tij pas një tentim vetëvrasjeje. Më pas, kemi një prift, sepse kush tjetër pos një klerik fetar do shëronte problemet psikike në vitet 1820ta– traditë që me “sukses” trashëgohet edhe tek ne edhe në vitet 2020ta ku probleme të ngjashme “zgjidhen” nga klerikë fetar e jo nga psikologë e psikiatër!

Salieri vazhdon rrëfimin për jetën e Mozartit, që shërben kohë pas kohe si narracion për të mbushur hapësirën ndërmjet skenave që sjellin jetën e shkurtër të kompozitorit të njohur.

F. Murray Abraham (Dar Adal te Homeland), luan rolin e Salierit, derisa shumë më pak i njohuri Tom Hulce portretizon Mozartin. Aktrimi i të dyve është fenomenal, derisa janë të ngujuar në anë të kundërta të historisë – i pari antagonist, i dyti legjendë, dhe kjo dëshmohet me nominimin e të dyve për aktorin më të mirë të vitit, që është diçka e rrallë në histori të Oskarëve.

Rolet tjera janë goxha më dytësore dhe mbarojnë me ngjarje e skena të ndryshme në film, pos asaj të Constanze Mozart, që njëjtë si Hulce nuk ka karrierë në film!

Ajo çfarë e bën këtë film madhështor sigurisht që është kolona zanore e cila na freskon trurin me disa nga kryeveprat e Mozartit fund e krye. Pos muzikës, fotografia dhe kostumet janë nga rafti i epërm.

Nuk është një film i popullarizuar dhe nuk besoj që kënaqë një gamë të gjerë shikuesit. Por, për maniakët e filmave, mund të jetë një xhevahir i fshehur në mesin e shumë filmave fitues të Oskarëve! Është një biografi e trilluar që nderon veprën e Mozartit i cili kushedi çfarë do të kishte bërë po të jetonte më gjatë. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: