Categories
Filma

American Beauty (1999) – Recensim

Ah, ëndrra amerikane!

Apo më mirë, utopia që pretendohet në kulturën e gjerë, por zhbëhet edhe në shumicën e filmave të vet Hollywoodit. Ngjashëm edhe tek ‘American Beauty’.

Burnhamët janë një familje mesatare amerikane nga shtresa shoqërore që popullon paralagjet. Llesteri punon në një kompani biznesore, Karollin është agjente e patundshmërive, dhe bija e tyre – Xhejn, një adoleshente e trazuar. Është një jetë e kotë, e mërzitshme, e përditshme, pa ndonjë hare të veçantë, dhe më shumë me zënka e papajtueshmëri.

Kjo mbaron në momentin kur Llester, takon shoqen e së bijës, Anxhelën. I joshur nga bukuria e saj (amerikane) ai vendos të ndryshojë jetën e tij për të mirë. Nga një 42 vjeçar kthehet në një adoleshent, për të gjetur pastaj vdekjen.

Kevin Spacey nis narracionin e karakterit të tij Llesterit, duke na treguar që më pak se një vit nga fillimi i ngjarjeve në film do të vdes. Pse dhe si, do të mësojmë gjatë 2 orëve në vijim. E gjatë kësaj kohe, karakteri i Spacey do të kalojë nëpër një trajektore konvertuese, aq të ngadaltë e të qetë, aq të detajuar e të frikshme, që nuk na bie shpesh ta shohim në filmat e Hollywoodit.

Si karakter kryesor, Llester ndryshon qasjen e tij prej një kryefamiljari të nënshtruar, në një kryefamiljar të pavarur, që ka timonin e jetës së tij në dorë. Aktrimi i Spacey është i shkëlqyeshëm, ndër më të mirët në karrierën e tij.

Annette Benning vjen në rolin e bashkëshortes së tij, me Thora Birch si e bija Xhejn, e Mena Suvari në rolin e shoqes së saj, Anxhelës, së bukurës. Wes Bentley është i biri i fqinjve të tyre, Chris Cooper e Allison Janney. Këta të fundit kanë pak hapësirë, vetëm ca skena, por çfarë skena!!!

Mund ta konsiderojmë si një film ansambli, ani pse Kevin Spacey mbetet më në pah se të tjerët. Puna e të gjithëve është një punë ekipore e mbarë, që rezulton me një klasik amerikan të viteve fundshekullit të kaluar.

Pas kamerës, Sam Mendes bën magji me të. Dhe ky është filmi i tij debutues në rolin e regjisorit, i cili i solli Oskarin e vetëm deri tashti, ndonëse e ka merituar më shumë se të gjithë këtë të fundit me ‘1917’. Skenari i Alan Ball, si për dialog, si për zhvillimin e karaktereve e storieve, është në të njëjtin nivel me regjinë, i shpërblyer me Oskar, sikur fotografia, dhe vet filmi.

‘American Beauty’ mbetet një sfidë e ëndrrës amerikane, por për dikë ndoshta edhe pishtar i saj. Është i realizuar për mrekulli duke u bërë njëri nga titujt më të mirë të kinematografisë së ‘90tave. Nota personale: 5/5