Categories
TV Reviews

American Crime Story – Season 2 (me spoilera)

Pas sezonit të parë të antologjisë rreth OJ Simpson, kam pritur shumë më tepër nga vrasja e Gianni Versacet.

Më shumë ka qenë një udhëtim i vrasësit të tij, Andrew Cunanan i cili Versacen e kishte viktimën e tij të pestë. Janë edhe katër viktima tjera, të cilët shtjellohen në po aq detaje sa edhe vet vrasja e Versacet. Për këtë, producentët kanë deklaruar se nuk kanë dashur të lënë në prapavijë viktimat tjera, duke mos u përqendruar në Versacen, mirëpo titulli është shitur si tregimi për vrasjen e Gianni Versacet, e jo si tregimi i vrasësit së Gianni Versacet. Shkurt e shqip, besoj se shumë sikur unë e ndjejnë veten të mashtruar.

Të mashtruar, manipuluar, por të zhgënjyer jo.

Përkundër titullit, ky sezon ka qenë një punë e mirë e ekipit të Ryan Murphyt. Është një tregim që ka mundur të realizohet në më pak se nëntë episode, me një kërcim më të rregullt nëpër kohështrirje, dhe me më shumë Versace të përfshirë në të. Nuk ka qenë krejt kështu.

Aktrimi i Darren Criss, të cilin mund ta njihni nga Glee, ka qenë fenomenal. Në rolin e vrasësit serik, Darren sjell Andrew-n si një karakter të akullt e të pashpirt, duke mos lënë hapësirë për tu kotur me krejt dritën që bie mbi të. Ngjashëm sikur titulli, edhe Darren Criss është lënë në plan të dytë tek marketingu me Edgar Ramirez e Penelope Cruz që vijnë në rolin e Giannit e Donatella Versace. Ricky Martin vjen në rolin e të dashurit të Versacet, njashtu në plan të dytë.

Të tre këta, përfshirë edhe Martin i cili nuk ka mbi supe përvojë të madhe të aktrimit (nëse nuk numërojmë atë të aktrimit si heteroseksual për gjithë ato vite kur dukej qartazi që nuk ishte – Livin’ La Vida Loca’), kryejnë punë goxha të mirë. Sidomos Cruz për të cilën jemi mësuar të mbërthej role të ndryshme me pasionin e saj aktrues.

Edhe të dashurit tjerë të karakterit të Criss, varësisht prej hapësirës skenike, të katër viktimat, bëjnë punë solide, pa përjashtuar edhe aktorët në role dytësore, sidomos Judith Leith në rolin e bashkëshortes së Lee Miglin, e cila disi edhe mbyll serinë, ka qenë goxha e mirë.

Aktrimi nuk lë për të dashur, por tregimi ecën ngadalë. Ka shumë hapësirë të çuar bosh, të cilat lirisht do të keni mundur t’i kaloni. Dialogu është i paktë, i mangët. Shumë skena përsëritën për të mbushur kohën. Nëntë episode kanë qenë të tepërta. Edhe më mirë do të dilte me gjashtë sosh. Nota personale për këtë sezon: 3/5