Categories
TV Reviews

American Crime Story Sezoni 1 – Recensim

Në kulturën e ekraneve amerikane është përmendur goxha shpesh tregimi për OJ Simpson. Është kthyer në një kult televiziv aq të përmendur sa kam provuar të lexoj e të mësoj diçka më shumë për këtë rast. Dhe ardhja American Crime Story ka qartësuar gjithçka në lidhje me tregimin e OJ Simpson kundër Popullit Amerikan (term që përshkruan prokurorët që në emër të popullit akuzojnë dikë – edhe diçka që kam mësuar nga kjo seri antologjike).

OJ Simpson ka qenë një yll i futbollit amerikan. Sukseset e tij kanë ardhur në një periudhë tensionuese ndër-racore në SHBA, dhe janë përkthyer si një rezistencë e popullsisë me ngjyrë në ato rrethana jo aq të favorshme. Ai ka qenë i martuar me një grua të bardhë. Një natë, kur nis edhe seriali, gruaja dhe një burrë – me gjasë dashnori i saj janë gjetur të vdekur. Që nga ky moment nis gjahu për të gjetur vrasësin që gjithçka del të çon kah OJ Simpson.

Ky rast kthehet në një shou televiziv, rast gjyqësor race, diçka që devijon në çdo mënyrë të mundshme nga ajo që vërtetë është – një rast i vrasjes së dyfishtë. Përgjithësimi i rastit që ka shpirë deri tek transmetimet televizive të procesit gjyqësor, kthimin në temë kryesore të programeve televizive dhe muhabeteve familjare. Është një proces që të mban të interesuar deri në fund, për shkak të shtrirjes të mençur kohore duke prekur çdo pjesë të procesit pa u tepruar në ndonjërën që do të mund të na shkonte nerva eventualisht. Kjo e bën skenarin të shkëlqyeshëm dhe pothuajse të përkryer, me regjinë që nuk dëshpëron në çdo episod. Është një punë e bukur në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe aktrimin.

E kur jemi tek aktrimi, Cuba Gooding Jr., vjen në rolin e OJ Simpson të cilin e sjell për merak në shumë skena, ku megjithatë në shumicën e të cilave mbetet në prapaskenë derisa të tjerët shtyhen në gjykatë, dhe jashtë saj. Filmi përqendrohet në dy taborë – prokurorinë dhe mbrojtjen. Deri as tek prokuroria kemi Sarah Paulson në rolin e Marcia Clark, dhe Sterling K. Brown si asistentin e saj; kasti tek mbrojtja është shumë më i madh në numër e në emër. John Travolta, Courtney B. Vance, David Schwimmer, e Nathan Lane janë të gjithë pjesë e mbrojtjes, e cila ka edhe më shumë emra. Harmonika skenike, dialogët ndërmjet këtyre karaktereve, si dhe lufta private kundër jetëgjatësisë së procesit, luftën në të cilën përfshihen edhe anëtarët e jurisë, sjell një këndvështrim pak më larg përditshmërisë legale.

Aktrimi ka qenë i shkëlqyeshëm, ngjashëm si puna pas kamerave. Personalisht ka qenë një çështje që më ka zgjuar interesim minimal deri në fillimin e serialit. Më pas, thjesht të thith në vete dhe të mban deri ta kryeni, që mund të mos zgjas as dy ditë të plota. Nota personale: 5/5