Categories
TV Reviews

American Gods – Sezoni 2

E mbyllni derën jo për shkak dashurisë ndaj kojshisë, por sepse tmerroheni nga kojshia juaj.”

E di që nuk është thënie që për herë të parë shfaqet tek ‘American Gods’, por është ndër ato që hasim shpesh tek ky produkt i Neil Gaiman, për të cilin vazhdojnë të thonë që libri është më i mirë se seria.

Prandaj, është gjynah kur seri të mira nuk ia dalin të mbajnë të fshehtë politikën që ruajnë në brendi. Kryesisht kështu ndodh kur projekte të ndryshme stërzgjaten, e stërhollojnë temën me qëllim që të bëjnë më shumë episode e sezone. Fatkeqësisht, kjo ndodhi në sezonin e dytë të ‘American Gods’.

Të dy palët vazhduan të mbledhin zotat në anën e tyre, dhe dukej më shumë sikur një afat vjeshtor i transferimeve, kurse në fakt do të duhej të ishte një garë, një luftë.

Sezoni i dytë vazhdoi të na përqendrojë në historitë e karaktereve, në lidhjen ndërmjet tyre, si dhe fundin e lindjen e disave.

Dialogët edhe këtë sezon ishin të mirë, por si gjithçka tjetër, edhe kjo pjesë e serisë ishte më dobët se e para. Ajo që nuk zhgënjeu mbeti pjesa teknike, me disa pamje mahnitëse edhe këtë sezon, që ishte ndër arsyet e vetme për të vazhduar këtë seri, ndonëse sekuencat nuk ishin aq të shpeshta.

Si rrjedhojë, sezoni i dytë i ‘American Gods’, sipërfaqësisht ishte goxha i mirë, një rrugëtim i këndshëm bashkë me karakteret deri në fushëbetejë, e me disa edhe larg saj. Pjesa vizuale nuk zhgënjeu, ishte në nivel me sezonin e parë me disa pamje mahnitëse.

Por, nëse përqendrohemi më thellë, në zhvillimin e historisë, ngjarjeve, atëherë kemi mbetur të zhgënjyer. Në këtë aspekt, mund ta konsiderojmë si humbje kohe, si lëvizje në një rreth pa fund, në një labirint pa dalje, e mbi të gjitha, pa shumë shenja që na mundësonin një dalje në atë që e them ende, fushëbetejën e zotave.

Ky sezon që nisë, duhet të jetë i fundit. Por, nëse shohim fundin e sezonit të kaluar, atëherë mund të supozojmë se do të kemi edhe një mbledhje, një pendim të dezertorëve, një luftë për shpëtimin e njerëzimit. Nota personale: 3/5