Vendosni me kqyr një film, edhe hyni në grup!
I gjeni dhjetë filma, dhe nuk dini nga të ja nisni. Vendosni të pyesni një mik, aiajo ju jep edhe nja dhjetë filma tjerë. Tashti jeni njëzet filma në minus, a në fakt nuk keni kohë as për një të vetëm për të parë.
Dhe jo vetëm për filma, por për ushqime, këpucë, pushime, rroba, gjithçka. Gjithmonë del diçka që ju lavdërojnë, të cilën nuk e keni, por duhet ta keni. Blej e blej e blej e blej… mirësevini në botën e KONSUMERIZMIT!
Bazuar në novelën e Bret Easton Elli, Mary Harron sjell në ekran historinë e Patrick Bateman, një bankier investues i pasur në Nju Jork, njëkohësisht psikopat!
Që është psikopat e vërejmë në shpjegimin e tij të rutinës ditore, ku përdor nja tre shamponë për flokë, katër krema, e një kallaballëk procese tjera kujdesi për trupin sa të duket që po shikojmë një reklamë për sallon ondulimi!
Për ta vërtetuar psikopatinë e Patrick, nuk kemi nevojë të presim shumë. Pa kaluar shumë kohë jemi në një muhabet bankierësh të cilët shtyhen me njëri-tjetrin për vizitkarta! Për vizitkarta dreqi, kush e ka më të mirë, më me stil, më me bukuri, a çka dreqi tjetër të nevojitet për të vlerësuar vizitkartat.
Më vonë ja nisë vret njerëzit në jetën e tij, i ndjekë me sharrë nëpër banesë, i fsheh trupat nëpër shtëpi, e kësi gjërash tjera psikopati.
Rolin e psikopatit, për mrekulli, e luan Christian Bale, për të cilin është roli i parë i njohur. Pra, qysh në fillimin e karrierës, Bale ka pasur atë aftësinë për tu konvertuar në karakterin e tij në tërësi. Sikur në filmat tjerë, edhe këtu e kemi të pandarë nga karakteri aktorin. Bale arrin të shndërrohet në Patrickun, pa hezituar në asnjë vendim psikopati që duhet të ndërmarrë! Dhe kjo është e frikshme!
Skenari është i ndërtuar mirë. Kemi një shpjegim të hollësishëm për albumin e Whitney Houston, si kënga ‘Greatest Love of All’ është njëra ndër më të mirat në histori, për të cilën gjë Patricku provon t’i bind ‘mysafirët’ e tij, para se të shkojë në egon e psikopatit. Ky është vetëm një shembull, pa përmendur skena të tjera të ngjashme, të çrregullta.
Në thelb, filmi hedh në pah snobizmin e njerëzve, tentimin për të gjetur një kuptim të jetës, një kënaqësi, një mbushje shpirti, duke provuar të adaptohemi në diçka që nuk jemi e që nuk ka dobi, në diçka që na shitet për paratë për të cilat punojmë tërë jetën, në kërkim të arritjes së kënaqësisë shpirtërore, të cilën nuk mund ta blejmë edhe të jemi bankier të Wall Street.
Por, vizualisht filmi është i tepruar me dhunën skenike, me karakterin kryesor që ta bën ta urresh. Mbetet në mes të peshores sime për këto dy arsye. Nota personale: 3/5