Categories
lomsh

Amerika – E premte, pasdite!

E po, kështu e kanë zakon. Kombëtarja e Shqipërisë na dëshproi të gjithëve të martën kur fituan vetëm 1:0, ndaj Luksemburgut. Ishte një lojë e pakuptimtë, pa imagjinatë e kombëtares sonë. Përveç që nuk shënuan, nuk kishim as raste apo lojë të bukur për sy. Dhe krejt kjo ndaj një Luksemburgu, i cili për fatin tonë nuk ishte shumë konkretizues sepse do të kishte marrë pikë në Tiranë. Sidoqoftë ajo është e kaluar tani, e edhe nëse renditemi të dytët në grup, ndeshjet ndaj Luksemburgut nuk do të merren parasysh, pasi sipas të gjitha gjasave ata do të përfundojnë të fundit. Edhe kjo fitore minimale na kryn punë, pasi sjell tri pikë, por nuk kontribuon shumë në golaverazh.

Pas barazimit të Bjellorusisë dhe Rumanisë, dhe fitores së Francës në Sarajevë, gjërat janë komplikuar pa masë. Shqipëria do të udhëheqë renditjen deri në ndeshjet e radhës. E në ndeshjet e radhës na duhen së paku katër pikë. Presim Bosnjë e Hercegovinën në Tiranë me 8 tetor, ndërsa udhëtojmë në Bjellorusi me 12 tetor. 4 pikë nga këto dy ndeshje nuk na garantojnë pozitën e parë, por na mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm.

Në anën tjetër në Stamboll po zhvillohen ndeshjet e fundit të kampionatit botëror në basketboll. Katër skuadrat e fundit përbëjnë dy befasi për mua, Serbia dhe Lituania, gjysmëbefasia Turqia, dhe favoriti kryesor SHBA-ja. Rusia befasoi edhe vetveten në ndeshjen çerekfinale kur ishte e baraspeshuar me SHBA-të pas dy çerekëve të parë. Por, si shumë herë çereku i tretë po është më vendimtari për amerikanët. Aty po krijohet diferenca e cila në çerekun e katërt po u jep një komoditet yjeve të NBA. Lituania më ka befasuar me fitoren ndaj Argjentinës. Argjentina e udhëhequr nga i pandalshmi Luis Skola shfaqte lojë që premtonte medale, por nuk di çfarë ndodhi me ata mbrëmë. Ndoshta lodhja e tepërt ndaj Brazilit dhe më herët ndaj Serbisë ishte e tepërt për kondicionin fizik të argjentinasve.

Serbia ishte me fat ndaj Spanjës, sidomos ajo gjuajtja në fund për tri pikë, habiti edhe serbët edhe spanjollët të cilët nuk dinë ç’të bëjnë në aksionin vijues. Ndërsa Turqia po luan një mbrojte të shkëlqyer zonale që po u shkakton kokëçarje shumë skuadrave, e edhe Sllovenisë së favorizuar. Humbja e sllovenëve ishte e papaparishikuar. Me gjithë ata lojtarë të mëdhenj, të humbasësh me një diferencë mbi 25 pikë do të ishte turp. Por, po ta shikoje ndeshjen do ta vërtetoje se nuk ka asgjë për t’u turpëruar. Nuk dua të jap parashikime për ndeshjen finale por e di kë e dua në finale. Shpresoj mos të befasohem.

Dhe për fund pak tenis. Federer po shkëlqen me lojërat e tija deri më tani në US Open. Edhe Nadal e Gjokoviç kanë arritur deri në gjysmëfinale por nuk kanë patur konkurrentë dhe paraqitje të ngjashme me RF. Shumë dyshoj se Nadal mund të fitoj këtë grend slem turne që zhvillohet në terren të fortë. Fituesi mendoj se do të vijë nga dueli Federer – Gjokoviç. Të dy janë më të mirë se Nadal në terrene të forta, dhe këtë e kanë dëshmuar.

Tek femra Vozniaçki mund të fitoj titullin nëse do ta kryej lehtë ndeshjen ndaj Zvonareva. Megjithatë rusja nuk është për tu nënçmuar. Ajo ka patur disa lojëra të mira kohëve të fundit në turnetë në Amerikën Veriore. Vërtetë është mposhtur nga Karolina në Rogers Cup, por kjo nuk do të thotë asgjë.

Ndeshja tjetër do të jetë edhe më interesante. Ndeshen dy rivalet e vjetra, Venus Uilliams dhe Kim Klajsters. Klajsters mbron titullin këtë vit, ndërsa Uilliams titullin e tretë. Vitin e kaluar Klajsters e kishte mposhtur Uilliamsin në rrethin e katërt për të arritur më pas tek titulli.

FF- Fundjavë futbolli

Në Premier Ligë ndeshja më interesante pritet të jetë ndërmjet Everton dhe Mançester Junajted të shtunën në ora 13:45. Birmingem mund të befasojë Liverpulin Çelzi ndeshet në udhëtim me Uest Hem, Totenhem me Uest Brom. Arsenal pret Bolltonin, që nuk duhet ti paraqes probleme, ndërsa do të jetë interesante të shohim debutimin e Zherard Hulie në krye të Aston Villa, të hënën në udhëtim ndaj Stok.

Në Bundesligë Bajern ndeshet me Verder, Dortmund me Volfsburg. Hofenhajm pret Shallken, ndërsa Hamburg Nyrnbergun.

Në Serie A, Milan udhëton në Çezena me katërshën e madhe, Roma në Kaljari me dyshen Borri-Toti. Inter pret Udinese të shtunën në ora 18:00. Derbi i javës konsiderohet Juventus – Sampdoria.

Në Primera ndeshja më interesante pritet të jetë ndërmjet Bilbaos dhe Atletikos. Të dielën ndeshen Sevila me La Korunjan, dhe Vijareal me Espanjolin. Tri skuadrat në Champions, luajnë të shtunën dhe nuk do të kenë shumë probleme. Barselona pret Herkulesin me Trezegen dhe Drenthen, Valencia pret Santander, ndërsa në ora 20:00, Real Madrid pritet të shfaq shou në Santiago Bernabeu ndaj Osasunas.

Në Francë Tuluz pritet të shënoj fitoren e pestë radhazi ndaj Sent Etjen. Ndeshja derbi zhvillohet të dielen mbrëma ku Marsej pret Monakon.

Prej sporteve tjera do të kemi dy gjysëmfinale të kampionatit botëror në basketboll, SHBA-Lituania (17:00) dhe Turqia – Serbia (20:00). Gjysmëfinalet në tenis në US Open, tek femrat: Vozniaçki – Zvonareva, dhe Uilliams – Klajsters; tek meshkujt: Federer – Gjokoviç, dhe Nadal – Juzhni.

Gara e Formula 1 për Shpërblimin e Madh të Italisë në Monxa. Dhe finalja e kampionatit evropian në vaterpolo në Split, Kroacia – Italia.

Luan Morina