Kategoria e dokumentarëve këtë vit do të jetë më e baraspeshuar se vitin e kaluar. Citizenfour ishte i paprekshëm në listën e pretendentëve për Oskarin e dokumentarit më të mirë, por, këtë vit do të jetë një garë më konkurrente. Dy janë tituj që vlerësohen se janë më favoritët për Oskar – Going Clear: Scientology and the Prison of Belief, dhe Amy. Ka edhe tituj tjerë, por akoma herët për tu vlerësuar sa të ‘rrezikshëm’ mund të jenë për këta dy.
E ‘Amy’ është dokumentar për këngëtaren Amy Winehouse. Dokumentari vjen nga regjisori i njërit nga dokumentarët më të mirë autobiografik të viteve të fundit, Asif Kapadia. Në krahasim me ‘Senna’, nuk është më i mirë, por këtu vjen në shprehje subjektiviteti im ndaj këtyre dy temave, më shumë më pëlqen F1 se sa muzika.
Por, si dokumentar në vete, ka gjithçka që duhet. Përcjell jetën e Amy Winehouse duke sjell pikëpamje të ndryshme në tregim, por gjithnjë duke pasur në plan të parë Amyn. Është dokumetnar mirë i sinkronizuar me tregimet dhe faktet duke ofruar një kënd të përbashkët, por assesi jo me qasje absolute. Dokumentari ia del qëllimit, të ofroj një portret të njërit nga zërat më të mirë të viteve të fundit dhe betejën e saj të humbur me shoqërinë e kësaj bote.
DiCaprio mbetet favoriti tek aktori më i mirë në rol kryesor. Por, performanca e Jake Gyllenhaal te ‘Southpaw’ nuk është për tu hedhur poshtë. Është ndoshta një tregim i elaboruar më parë, në mënyrë të përafërt, por aktrimi i tij mbetet në qendër të vëmendjes. Megjithatë nominimi për Oskar mbetet i pamundur.
Edhe këtë javë Top 3 im nuk ndryshon – Inside Out, Me and Earl and the Dying Girl, dhe Ex-Machina.
E njëjta vlen edhe për Top 3 filmat më favorit për Oskar – The Revenant, Spotlight, Steve Jobs.