Categories
Filma

Amy si treni – Oskarët 2016 (2)

Kategoria për aktoren më të mirë do të jetë më interesantja këtë sezon. Për fillim, Brie Larson është lavdëruar së tepërmi për rolin e saj në ‘Room’, dhe duke pasur parasysh përvojën e saj të kaluar, nuk dyshoj aspak në aftësitë e saja.

Befasi e këndshme sivjet pritet të jetë Saoirse Ronan me filmin ‘Brooklyn’. Por, nuk besoj që do të mund të fitoj në mesin e Cate Blanchett, dhe favorites kryesor, Jennifer Lawrence. Nominim të befasishëm mund të pritet edhe për Emily Blunt për ‘Sicario’.

Por, dy nga aktoret që janë përmendur për këtë kategori dhe filmat e të cilave mund ti shohim qysh tani janë Amy Schumer dhe si zakonisht Meryl Streep.

Streep ka një rol më ndryshe tek ‘Ricki and the Flash’. Vjen si një rokere e moshuar me një aktrim të mirë. Por, performanca e saj është më shumë si një detyrë interesante, më ndryshe, për ta argëtuar si aktore, se sa një performancë e dedikuar për tu shpërblyer.

Në anën tjetër, Amy Schumer është lavdëruar për ‘Trainwreck’. Ky film është një komedi Apatow-eske. Besoj që shumica jemi të mësuar me komeditë e Judd Apatow, dhe ‘Trainwreck’ nuk është ndër më ti mirat, e larg nga më e mira.

Amy Schumer jam mësuar ta shoh tek ‘Inside Amy Schumer’, një aktrim pa dorëza, që më shumë ngjan dhe është në fakt improvizim. Prandaj, pos filmit, as aktrimi i saj nuk më ka pëlqyer, sidomos karakteri i saj. Por, është Tilda Swinton që ka një rol të mirë dhe shumë të kufizuar në këtë film. Megithatë, as ai rol nuk është për tu futur në rrethin e ngushtë për shanse të nominimit.

Edhe këtë javë Top 3 im nuk ndryshon – Inside Out, Me and Earl and the Dying Girl, dhe Ex-Machina.

E njëjta vlen edhe për Top 3 filmat më favorit për Oskar – The Revenant, Spotlight, Steve Jobs.