Ke nevojë të shkosh në tualet derisa jeni një grup vetash diku jashtë. Janë dy skenarë
- Pasi largohesh pa arsyetim për të fryrë hundët për shkak të gripit apo ftohjes së fundit, muhabeti në grup do të shkoj kështu – osht ni grip i keq, edhe djali të hallës i ka ra, shefi qeshtu dje ka mungu, edhe unë e kom pas, fmija e kanë marr n’shkollë, mos vet ish, po ti kputke dy komt.
- Dhe pasi largohesh për të mbledhur veten për shkak të ankthit i cili të godet edhe në kësisoj raste, dhe për të cilin ke biseduar me të personat në grup – moti ka ksi probleme, m’doket osht kon edhe te psikologu a psikiatri, jo be cka po thu, awww keq i paska punët, a e din t’shpis, mos po përdor droga, mos i kan punt ngusht, kush ia ka ngjit.
Askush nuk solidarizohet me dikë që ka stres apo depresion. Askush në familje nuk ka vuajtur nga diçka e tillë. Askush nuk njeh dikë që ka pasur një dukuri të tillë. Është tabu. Ama gripi jo. Të ftohurit jo. Dhe pastaj thonë që ankthi, depresioni, e dukuritë tjera psiqike nuk ekzistojnë tek ne. E në fakt vetëm se nuk flitet në to. Kryesisht për shkak të perceptimit që merret në opinionin e gjerë.
- S’osht mirë diçka s’fundmi.
- Pse çka ka? Kancer?
- Jo, diçka me mendje.
- Auuu, ja nime keq koka.
Paragjykimet nuk ndalojnë. Dhe nuk përjashtojnë sëmundjet tjera, megjithatë këto me bazë mendjen janë më të frikshme për opinionin e gjerë. Sidoqoftë, shumica prej tyre nuk janë permanente. Vijnë e shkojnë, sikur gripat, ftohjet, e edhe lëndimet tjera trupore. E në vend të paragjykimit, shumë më mirë do të ishte për të prekurit që të kuptoheshin nga të tjerët.
Ankthi është për tu bërë merak pa nevojë. Kontrollimi nëse e ke mbyllur derën disa herë. Largimi nga të tjerët për tu mbyllur dhe mbledh veten, sikur rasti i tualetit më lart. Frika se të tjerët na keqkuptojnë që rrjedhimisht del tek përsëritja e gjërave disa herë ashtu që të sigurojmë të tjerët se nuk dëshirojmë atë që mund të keqkuptohet. Pastaj, hezitimi për të bërë shoqëri të re na detyron të lidhemi më tepër se që duhet me shoqërinë aktuale. Dhe kjo shoqëri kufizohet në ata pak veta që të kuptojnë.
Edhe këta nganjëherë kërkojmë ti largojmë pasi na nevojitet kohë në vetmi. Dhe kjo kohë nuk është permanente. Vetmia është mbushje me energji pas një kohe të gjatë të betejave. Edhe më së miri është shoqëria të largohet në këto kohëra nëse nuk dinë si të sillen ndaj dikujt që ka ankth.
Shumica bëjmë shumë gabime ndaj atyre që kanë ankth. Gabimi më i madh është tu themi ‘mos u brengos’. Kjo është arsyeja kryesore e ankthit, ajo që ndez ankthin. Mirëpo çfarë të bëjmë, mund të pyesim nëse kemi dikë që ka ankthin.
Problemi më i madh është që edhe ata nuk e dinë se çfarë duhet të bëjmë, apo edhe vet të bëjnë. Po ta dinin se si mund të tejkalonin, do ta tejkalonin sepse askush nuk vuan nga ankthi se është një gjendje e mirë shpirtërore. Është ferr!
Ama janë disa gjëra që mund tu ndihmojmë edhe vetëm nëse i kuptojmë. Njeriu në ankth bëhet merak për shumë gjëra. Frikësohet, edhe pse pa arsye ndoshta nga këndvështrimi i jashtëm. Dhe nuk mund tu ndihmoni nëse i thoni ‘qu dil jashtë’, ‘leje ma këtë ankth, mos u bo dramatike’. Përkundrazi këto veç sa e mundojnë edhe më shumë. Sepse dramatizmi vjen nga vet koka jonë.
Drama më kryesore është që nesër do të vdesim. Çdo herë që bëjmë plane, e kemi parasysh vdekjen. Të shtunën do të fle deri në drekë, nëse nuk vdes. Të dielën do të shoh film, nëse nuk vdes. Javën tjetër do të lexoj ‘Demonët’ e Lermontovit, nëse jam gjallë. Nuk është që vdekja është aty, por duhet të përmendim vdekjen sepse nëse nuk e përmendin atëherë do të vdesim! Ngjashëm si duhet të kontrollojmë dhjetë herë derën nëse e kemi mbyllur. Nuk është OCD. Është ankth!
Brenga që të tjerët do ti bëjmë të ndihen keq sepse nuk po u përmbushim pritjet që kanë nga ne. Brengosja që po i zhgënjejmë, që po i mundojmë duke folur për gjëra krejt palidhje të cilat na japin ankth. Megjithatë kjo është e vetmja mënyrë që mund të na ndihmojnë. Të dëgjojnë! Sepse nëse nxjerrim fjalë për fjalë, atëherë lirojmë ankthin pak nga pak. I përsëritim gjërat që frikësohemi më shumë. I përsëritim njëqind herë ‘të mërzita veç tu fol’. Dhe nëse i shkruani këto, atëherë një ‘seen’ të bën të mendosh qindra skenarë – ‘e mërzita me krejt këto gjëra palidhje, s’kanë faj, unë jam bërllog’. E në fakt bashkëbiseduesi ndoshta vetëm ka pirë një gotë ujë. Nuk është kërkesë për vëmendje. Është ankth!
Njerëzit, rrethina, zhurma, e nganjëherë asgjë ndikon në shfaqjen e ankthit. Dhe mirëkuptimi i të tjerëve është pjesa kyçe. Nuk është vetëm një stres i zakonshëm se dikush do të humb penalltitë, do të vritet karakteri kryesor në libër, apo do të bllokohemi në momentin që ulemi në karrige. Ankthi është më i gjerë, më i shpeshtë. Nuk është moment. Dhe ata që na ndihmojnë një herë, mund të provojnë të njëjtën metodë përsëri. Një film, një ecje. Kjo mund të mos funksionoj. Dhe ngulmimi për të bërë diçka, për të folur, për të ecur, për të shikuar film vetëm sa ka kundër-efekt. Kjo nis një seri të re ankthi që i bën të ndihen edhe më keq. Jo domethënë jo! Nuk është një kërkesë për ‘lutje’, sa më shumë ta lutësh aq më mirë do të ndjehet. Dikur thotë po. Nuk them po se është mbushur ajo shifra e kërkuar e lutjeve. Themi po se na keni lodhur. Nuk është një ftesë për lajkatim. Është ankth!
Ankthi është diçka që nuk mund të përmblidhet me disa rreshta. Është i veçantë tek secili. Dhe ngjashëm, secilin duhet ta kuptoni në mënyrë të veçantë!