Categories
Filma

Annie Hall (1977) – Recensim

Alvy Singer është një dyzetvjeçar dy herë i divorcuar, neurotik, stand-up komik, çifut, në Nju Jork, i cili buzë krizës së moshës së mesme na tregon se si ia ‘doli’ të prishë njërën ndër lidhjet më të mira në jetën e tij, me Annie Hall.

Pra, është një rrëfim i Alvyt për Annie, një rrëfim dashurie ‘ndryshe’!

Nuk është film romantik, e nuk është as komedi, e as dramë! Është më shumë si një monolog i Woody Allen, i cili flet për një karakter që përshtatet me figurën e mimikën e tij si kallëp!

Do ta thjeshtoja tërë filmin në një orë e gjysmë terapi të Alvy Singer, i cili nuk ndalet duke folur, derisa nxjerrë në pah krejt ato që e mundojnë, që nga fëmijëria, deri në moshën aktuale, duke provuar të gjejë arsyet për krejt ato që kanë ndodhur në jetën e tij. Përpos që përkrahë dëftimit të Alvyt, kemi edhe vet ngjarjet e skena, një pjesë vetëm në kokën e tij, që na shoqërojnë gjatë kësaj ore terapie psikologjike të Alvyt.

Më duhet të pranojë, në shumë të këqija sigurisht, do të nxirrja paralele me karakterin e Alvyt, të cilin nuk mundem të mos e shoh si një autobiografi të vet Woody Allen. Prandaj, ndjejë një afërsi më të madhe me këtë film të Allen, ndonëse receta e tij e zakonshme që vjen çdo vit, është një nga recetat filmike të preferuara për mua.

Ajo çfarë i jep hijeshi këtë filmi është karakteri i Annie Hall, që na shfaqet si një femër me shumë gjëra të ‘çmendura’, ashtu si Alvy, veçse më përtokë. Dhe ky karakter perfeksionohet nga e mahnitshmja Diane Keaton, e cila e gjen magjinë të heshtë e të dëgjojë Alvyn përgjatë gjithë ‘krizave’ të tija neurotike kur provon të arsyetoj çdo veprim që bën, ose që ka bërë. E njoh një njeri të këtillë, dhe çdo dy javë ia ndreqi frizurën! (po flas për veten!)

Është një histori e ndryshme dashurie, e veçantë, larg klisheve e klasikëve. Është botë në vete, romancë në vete, jetë në vete. Nuk e gjeni askund. Woody Allen pos të zakonshmes, shkëlqen edhe në aktrim. E pastaj, Diane Keaton! Nota personale: 5/5