Categories
Filma

Ant-Man and the Wasp (2018) – Recensim

Ndoshta për shkak të madhësisë lihet mënjanë, por Milingoni, kësaj radhe me Grenzën, janë ndër karakteret më të nënvlerësuara në botën e MCU. E kushedi, ndoshta edhe do të dalin shpëtimtarë pranverën e ardhshme tek ‘Avengers: Endgame.’

Personalisht, është nga karakteret më interesante, më misterioze, dhe më të pëlqyera. E kur kësaj i shtojmë edhe atë dozën e komedisë (cilësore për dallim me shumicën e karaktereve tjera simotra), atëherë del një produkt i mirë kinematografik. Oh, mos të harrojë edhe atë pjesën e fizikës e cila tek ky vazhdim zë një hapësirë të konsiderueshme.

Filmi, që nga fillimi deri në fund është një lojë ndjekje ndërmjet fronteve të ndryshme në film, që nga Scotti, e deri tek Dr. Billi! Është një skenar i mirë i cili përkundër të gjitha këtyre fronteve nuk del të jetë i komplikuar, i përzier së tepërmi.

Scotti tashti në burg shtëpiak, detyrohet të bashkohet me Hope dhe Dr. Hank në misionin e tyre personal për të gjetur diçka të çmuar nga e kaluara këtyre dyve të fundit. Në këtë mision aktivizohet edhe Hope në rolin e grenzës. Përfundimi, ajo pjesa e zakonshme e MCU pas mbylljes le edhe më shumë për të dëshiruar nga ai mision!

Aktrimi i Paul Rudd e Evangeline Lilly është i mirë, përkrah Michael Douglas e Michael Pena. Por, për shkak të natyrës së filmit, gjithçka mbetet në sfond të regjisë së Peyton Reed, dhe pjesës teknike e cila tek ky film mbizotëron më shumë në krahasim me aktrimin, në dallim prej filmave tjerë të MCU-së.

Më ka pëlqyer mënyra e realizimit, tregimi, dialogu përfshirë linjat komike, e më së shumti idetë e tyre sado absurde në lidhje me fizikën! Të gjitha këto bëjnë një film të mirë të super-heronjve, një margaritar të MCU, i cili së paku për mendimin tim, lihet në plan të dytë. Nota personale: 4/5