A keni pasur një periudhë zymtësie, mos t’i them depresion se menjëherë ikin nga frika se mund t’i kap, pasi keni arritur ndonjë sukses, ose pasi keni realizuar ndonjë ëndërr?
Ëndrra e shumicës së njerëzve është të udhëtojnë nëpër çdo qosh të botës, të hanë ushqimet nga më të ndryshmet, dhe të takojnë njerëz nga kultura të ndryshme! Jetë e përkryer do të ishte kjo për shumëkënd. Dhe kush do të vriste veten derisa bënte një jetë të këtillë? Të shëtiste vende anembanë botës, nga vendet më të izoluara të SHBA-ve deri në qosh të Indianit, nga malet e Kaukazit në shkretëtirat e Afrikës e të Kilit? Dhe gjatë këtij udhëtimi të shijonte ushqimet më të mira si shtesë?
Anthony Bourdain!
Shumëkush është befasuar me lajmin për vetëvrasjen e tij! Ngjashëm si me Robin Williams, Ernest Hemingway, Sylvia Plath, Vincent Van Gogh, Marilyn Monroe, Kurt Cobain, dhe lajmet për vdekjen e tyre! Dhe sikur tek shumica, as tek Bourdain nuk ka qenë e pritur një gjë e tillë. Më vonë ka dalë në pah një listë e intervistave ku ai flet haptazi për një fund të këtillë! Por, sigurisht që nuk e ka pas seriozisht?
Karriera e tij televizive ka qenë madhështore. Sezoni i fundit, ky i dymbëdhjeti i ‘Parts Unknown’ na sjellë një seri të episodeve të cilat shkojnë pas kamerës, me intervista të paredaktuara duke sjellë edhe pjesë nga karriera e tij televizive! Më shumë se interesante, kjo e bën edhe më pikëllues këtë sezon, duke ditur që ka qenë i fundit, dhe gjithçka që mbetet, janë rishikimi i atyre episodeve, të cilat në çdo çast do të pikëllojnë edhe më shumë shikuesin kur e di fundin e këtij njeriu aq të lumtur!
Depresioni dhe sëmundjet mendore mund të godasin, edhe me fatalitet, edhe njerëzit më të lumtur e me jetën më të ‘përkryer’. Nuk ‘dilet’ prej tyre, e aq më pak përçmimi, kritika negative, e përjashtimi i tyre nga shoqëria, nuk duhet të shërbejnë si metoda për zgjidhjen e tyre.
Nëse keni parë ndonjë episod më parë të ‘Parts Unknown’, sigurisht tashmë keni përfunduar serinë. Nëse nuk keni parë, dyshoj që do të shihni pas këtij leximi. Por, nëse keni dikë të afërt që ka probleme të këtilla, mos ia bëni bajat. Nota personale e serisë: 5/5