Categories
TV Reviews

APOCALYPSE Stalin (2015) – Recensim

“Mos dërgo më njerëz për të më vrarë. Tashmë kemi zënë pesë veta, njëri me bombë dhe një tjetër me pushkë. Nëse nuk ndalon së dërguari vrasës, unë do të dërgoj një në Moskë, dhe s’do të kem nevojë të dërgoj të dytin.”

Këto janë fjalët e Josip Broz Tito-s, i cili ka shmangur fatin e njëzet milion viktimave të Stalinit. Dikush këtë shifër e çon deri në 60 milion njerëz të vrarë nga Stalini dhe regjimi i tij, përfshirë në mënyrë indirekte. Për dallim prej Stalinit, regjimi i Hitlerit ka vrarë 12 milion gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Njeriu i hekurt, siç quhej Joseph Vissarionovich Stalin, ka sunduar Bashkimin Sovjetik nga viti 1922 deri në vitin 1953 si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste. Ardhja e tij në pushtet vjen pas vdekjes së Leninit, i cili siç do ta shihni nuk ka pasur mendim aq pozitiv për pasardhësin e tij. E pushteti që merret me forcë, nis nga eliminimi i më të afërmve, siç kemi mësuar nga diktatorë të ndryshëm, nisur nga i yni Enver Hoxha!

Si çdo seri APOCALYPSE, edhe kjo për Stalin që vjen në tri episode sjell pamje ekskluzive të zhgroposura nga arkiva të ndryshme televizive. Një gjë shtesë është ngjyrosja e tyre. Si rrjedhojë kemi një histori të diktatorit më të madh evropian të shekullit të kaluar, e cila shtrihet më shumë se që duhet para ardhjes së tij në pushtet, por gjithnjë me qëllimin që të sjellë sa më shumë detaje për jetën e tij.

Por, një anë negative është kërcimi nëpër kohëra e tema të ndryshme, gjë që krijon huti tek shikuesi. Personalisht do të preferoja një shtrirje lineare të historisë. Megjithatë, është një histori që duhet të shikohet patjetër, pasi ka shumë gjëra të pathëna më parë, e disa tjera të detajizuara sa s’ka më. Një dokumentar që s’guxon të humbet, të cilin mund ta gjeni shpesh në Tring History. Nota personale: 5/5