… apo dita kur u varros liria e mediave kosovare.
Para disa viteve, kur merresha më shumë me gazetarinë e botës teknologjike, si ide pata pasur të bëja listën e personave medial me ndikim në botën e rrjeteve sociale. Akoma ishte faza e djepave të rrjeteve sociale në internet dhe nuk ishin aq të shfrytëzuara nga mediat, e aq më pak njerëzit në to. Megjithatë me kalimin e kohës shumë nga ata veta nisën të më dëshpëronin në mënyrë indirekte me mënyrën si (nuk)përdornin ato. Një nga ato pak veta ishte edhe Arbana, e cila sot nuk më dëshpëroi vetëm mua, por edhe një numër të konsiderueshëm të ‘llojit’ tonë të njerëzve.
‘Aderimi’ i saj në parti politike, sidomos në atë të cilën e ka kritikuar me vite, nëpër të gjitha mediumet; në mesin e njerëzve të cilët vet ajo ka deklaruar se kanë qenë shtresa më e korruptuar në vendin tonë; braktisja e fushëbetejës vetëm disa ditë pas ditës së lirës së mediave, janë grushti më i madh në demokracinë, në lirinë e mediave kosovare.
Për ditën në fjalë kam shkruar diçka në lidhje me ‘pavarësinë’ që kanë mediat tona. Mjafton vetëm pak ti analizoni dhe të shihni që media e pavarur tek ne nuk ka. Të gjitha varen disi nga dikush, në mos asgjë nga reklamuesit (pjesa dërrmuese dominohet nga reklamat e qeverisë) të cilët janë edhe donatorë të partive e klaneve politike. Pavarësia e mediave është mit, megjithatë kanë qenë disa emra që kanë bërë zë në Kosovën e pasluftës në tema të ndryshme. Kanë qenë disi si flakadan që kanë frymëzuar shtresën më të re të kosovarëve të cilët janë të lodhur nga mentalitetet mesjetare ballkanike.
Arbana për shumëkënd ka qenë shembull i guximit, vendosmërisë, kryengritjes ndaj të keqes. Ka qenë shembull i gazetarisë hulumtuese në tema shoqërore që kanë prekur të gjitha shtresat e kosovarëve. Ka qenë gazetare të cilën shkrimet e saja (nuk e harroj ‘fëmijët tanë snoba’) kanë qenë frymëzim, oksigjen për ëndërrimtarët e demokracisë, Perëndimit të cilin gjithnjë e ka synuar.
Sot, ajo ka lënë Perëndimin, dhe i është nënshtruar Lindjes, mentaliteteve mesjetare të cilat me të drejtë i ka kritikuar në çdo mundësi që i është dhënë. Sot, ajo ka fundosur ëndrrat e studentëve të gazetarisë, gazetarëve që e kanë parë si shembull në ndjekjen e karrierës. Sot, ajo ka dëshmuar që sado që lufton, herët a vonë do të duhet tu nënshtrohesh (me apo pa dëshirë) politikës dhe krerëve. Sot, ajo e ka mbyllur gojën, e ka thyer lapsin.
Mesazhin që mund të marrin të gjithë, jo vetëm studentët e gazetarët, është që lufta për të drejtën, për demokracinë është betejë e humbur. Ajo çfarë mund të bëni është të shitni veten, së paku sa është çmimi i mirë. Tekefundit edhe me zor do të jeni pjesë e strukturave politike.
Është goditje për gazetarinë dhe të ardhmen e këtij profesioni, për neve që mendojmë ndryshe, është humbje edhe për ata që e kanë shpërblyer për punën e saj. Çfarë mendon Departamenti i Shtetit Amerikan që e ka shpërblyer për kurajën e saj? Çfarë mesazhi përçon tek femrat në përgjithësi ky veprim? Kush është në radhë? Jeta Xharra? Flaka Surroi? Kush do të ‘shtrëngohet’ tash?
‘Aderimi’ i saj konfirmon që gazetaria e mirëfilltë është utopik në Kosovë. Sot, është dita kur demokracia vdes. Është një fitore për armiqtë e saj të deridjeshëm, është fitore për të gjithë që e kërcënonin deri dje.