Dymbëdhjetë anije kozmike kanë aterruar në vende të ndryshme anembanë planetit. Ato komunikojnë me njerëzit në orar të caktuar, por problemi qëndron tek kuptimi i gjuhës që flasin. Këtu hyjnë në punë profesoresha gjuhësore Louise Banks. Ajo do të duhet të kuptoj arsyen pse këto anije kozmike kanë aterruar në planetin tonë. Dhe detajet pse kanë aterruar janë shumë klishe, sa që i humbin të gjitha anët pozitive që ka filmi, e dorën në zemër ka shumë gjëra pozitive.
Së pari, ana vizuale, fotografike është e një niveli jashtë zakonisht të pëlqyeshëm për sy. Efektet vizuale të anijeve janë të shkëlqyera. Eksterieri në përgjithësi ka ngjyrë të bukur, enterieri deri diku ka mangësitë e veta, megjithatë origjinaliteti, inovacioni i përdorur në përshkrimin e jashtëtokësorëve është goxha mbresëlënës.
Nuk është film i llojit ‘Independence Day,’ ‘War of the Worlds,’ ‘The Mist,’ apo ‘Men in Black.’ Pra, nuk është film ku jashtëtokësorët vijnë për të marr planetin tonë, edhe pse çfarë kanë për të marr këtu. Është më ndryshe. Dhe këtu qëndron ndoshta ajo dobësia e këtij filmi – tek qëllimi i ardhjes së tyre. Jo, nuk vijnë për dasmë.
Dhe kur kalojmë tek kasti, së pari na bie në pah Amy Adams. Ajo është profesoresha Louise, karakteri i të cilës është interesant deri në një masë. Nuk është kushedi çka, dhe kur e portretizon Amy Adams e cila po shndërrohet në një Leonardo DiCaprio me nominime dhe pa fitore. Ka pasur kandidate më të mira se ajo në këtë kategori këtë vit, dhe mos nominimi i saj është vendim i drejtë. Por, për Oskarët në shkrime tjera.
Jeremy Renner dhe Forest Whitaker vijnë në rolet dytësore, duke rrumbullakuar një kast me përvojë, por pa ndonjë peshë të veçantë në cilësinë e filmit. Jo për fajin e tyre.
Nëse filmi vuan diçka është kohëzgjatja e tepër, dhe kapërcimi i pavërejtur nëpër periudha të ndryshëm. Por, ajo çfarë ka mangësi në këtë film, për shijen time, është skenari. Është i butë. Është i lehtë për tu parë, i shijshëm; por, nëse dëshiron të notosh paksa, zhgënjehesh shumë. Prandaj, mendoj që është pak i mbivlerësuar. I mirë, por i mbivlerësuar. Nota personal: 4/5