Larg dashurisë epike të Keremit dhe Nihanit, rinia javëve të fundit është marr më shumë me Hana Bejker dhe trembëdhjetë arsyet e saj. Derisa kjo jep një fije shprese se më në fund po drejtohemi në një rrugë të duhur, në të cilën rrugë shohim seriale cilësore amerikane (jo veq BrBa, Prison Break, e TWD), ka edhe një anë të errët. Një pjesë e konsiderueshme kanë refuzuar të pranojnë qëllimin e serisë dhe mesazhin që përçon.

Për serinë mund të lexoni artikullin tjetër. Në vijim do të lidhemi më shumë me realitetin kosovar, për Hanat që jetojnë jo vetëm në faqe të librit, e në seri me skenar; por, ato që përmenden në kronikat e zeza të gazetave e portaleve, dhe ato që kanë akoma fatin të jenë të gjalla.

Një shembull…

Ka qenë verë, një kampionati botëror në futboll nëse s’gaboj. Derisa kaloj tek ‘rrethi i flamurit’ në Prishtinë për të kaluar tek stacioni i autobusëve afër ‘banesave të arabëve’, shoh një veturë të zezë të ndaluar aty tek rrethi, dy djem me syze para, të cilët e thirrin ‘o shpirt, kqyr moj…’, ‘po e foortë kokshe’… ka pasur shumë vajza aty, dhe pasi isha duke ecur, vetëm ktheva kokën në të kaluar, pa arritur të dalloj se cila ishte ‘e forta’. Por, së paku e pashë cilët ishin ‘të fortit’.

Dhe këta ‘të fortit’ janë të shumtë. Këto skena janë të shumta, dhe kur ndodhin në pikë të ditës, çfarë ndodh nëse të rastis të pritesh autobusin lokal natën? Duhet të kalosh tek dy anët e mbikalimit, pasi ka më shumë dritë dhe nëse pahiri të sulmon dikush, shpreson se do të vjen njeri në mbrojtje?

Hana bën një ecje të gjatë në njërën nga episodet. Është një ecje që ndodh pas mesnatës. Në cilin vend në Kosovë do të guxonte një vajzë, apo femër të dilte të ecte natën krejt e sigurt? Pos në lagje të veçanta ku edhe aty dyshoj se mund ta bënin këtë? Nata është e llahtarshme për çdokënd që ka flokë të gjata, gjinj, dhe që i mungon penisi. Ironia është se shumica që e kanë këtë të fundit, mendojnë me të, veprojnë me të.

Ndërtesat, dritat, asfalti, KFC, e brende tjera perëndimore nuk na ndihmojnë si shoqëri derisa akoma vazhdojnë doket e mentaliteti primitiv i shekujve të feudalizmit. Problemet do të vazhdojnë të jenë në këtë shoqëri në tranzicion e cila akoma vazhdon të mbahet në iluzione primitive. Problemi qëndron në atë se fëmijët, e sidomos vajzat po kërkojnë barazinë që u premtohet me gjithçka perëndimore, që për shumëkënd atje është normale. Pos tek ne!

Tek ne shumë gjëra që kanë të bëjnë me tinejxherët, adoleshentet janë jo normale. Vajza nuk bën të del pa ndonjë mashkull, vajza nuk guxon të flet me ndonjë të gjinisë tjetër në rrugë, apo kudo; vajza nuk bën të vishet shkurt; vajza nuk bën të ‘lazdroj’ deri vonë; vajza nuk bën të bëj asgjë… Jo për diçka, po djemtë keqkuptojnë. Nëse e pyet për orën, pëlqen një status në fejsbuk, falënderon diçka, apo çfarëdo gjëje minimale të jetë, vajza ‘po ia han grepin’ djalit. Edhe tashti djali duhet të marr hapat e duhur, edhe pa marr parasysh injorimet, jo-të, vajzat vazhdojnë të shiten si të zorshme sepse qysh kanë thonë pleqtë: duhet ti shqyesh dy-tri palë këpucë deri ta bindësh një vajzë. Por, pasi këpucët e shtrenjta tashti, djemtë fort nuk po kanë nerva.

Është realitet i hidhët, është trishtim të jesh vajzë në këtë ambient, në këtë shoqëri. Të jetosh në frikë konstante, të mos mund të jetosh ashtu siç ke qejf, siç ke të drejtë. Nuk është çudi për një vend ku ‘qitet pushkë kur në konak lind djalë’.

Dhe çfarë bëjmë ne si djem në lidhje me këtë? Së pari, nisim ofendimet për autorin që e shkruan këtë gjë, për ata djem që shkruajnë kështu, për ata që marrin iniciativa për barazinë gjinore. E qëllojeni çfarë ofendime e paragjykime vijnë më pas… Keq që shumica heqin dorë nga këto misione pasi ‘burrat’ e vërtetë nuk i bëjnë këto gjëra, këto shkrime…

Derisa të ketë çdo dhunë në bazë gjinore në vendin tonë, secili nga nesh ka një pikë faji. Secili është përgjegjës për çdo vrasje, çdo rrahje, çdo shuplakë, çdo ngacmim fizik e verbal që ndodh ndaj femrave.