Categories
Sport

Autokton se jo mahi…

Futbolli…

Deri pesë metra janë tribunat më të afërta me barin në terrenet e ligës ku luhet futbolli më i mirë në botë (BPL është liga më e mirë.) Zero është numri i invadimit të fushës nga fansat gjatë shumicës së sezoneve.

Arrestimi, ndalimi i vizitës së stadiumeve (nisur nga minimum një sezon, mesatarisht 3 vjet, maksimalisht tërë jetën), ndjekja penale në gjykatë, identifikimi si kriminel, dhe ndalimi i afrimit në distancë të caktuar afër stadiumeve futbollistike në ditë ndeshjeje janë dënimet për atë që futet në fushë, kuptohet nëse arrin të kaloj stjuardët.

Por, këto dënime nuk krahasohen me kulturën e një futbolldashësi, një shikuesi që e do njërën nga zbulimet më të mira në historinë e njerëzimit. Tashti, paramendojeni po të ishin kësisoj stadiume në trojet tona. Një artikull në Zëri gjatë kësaj jave tregonte për të gjitha çuditë që ndodhin në kampionatin kosovar.

Por, si ata që e shikojnë, ngjashëm janë edhe ata që e luajnë lojën e futbollit tek ne. Megjithatë faji duhet të bije mbi ata që e shikojnë.

A mund të shkoni të shikoni ndeshje me familje në stadiumet tona? Jo. Sepse rivaliteti kalon në të shara më banale që mund të dëgjohen. Këto të shara i dëgjojmë edhe në televizor nëse vendosni të humbni dy orë me ndeshje të nivelit më të ultë se divizioni i pestë anglez, ku shikuesit përsëri janë shumë më të edukuar se këta tanët.

E ngjashëm ishte edhe ndeshja në Beograd, që shërbeu për të çmuar diçka që nuk ka lidhje me futboll.

Krimineli…

Futbolli luhet në një fushë me gjatësi prej 90 deri 120 metra, me të dy ekipet që kanë nga njëmbëdhjetë lojtarë prej të cilëve njëri është portjer. Luhen dy pjesë me nga 45 minuta. Ai që shënon më së shumti gola fiton. Në rast se është ndeshje jo-eliminuese fituesi merr tri pikë. Në terren pos 22 lojtarëve gjendet edhe gjyqtari kryesor dhe në rast të lëndimit mund të futen dy anëtarë të stafit mjekësor të skuadrës së të lënduarit. Trajneri dhe shtabi teknik e kanë të kufizuar hapësirën ku mund të lëvizin që është së paku një metër larg vijës anësore. Gjithçka tjetër në fushë është ilegale.

Ngjashëm ishte edhe droni.

Droni tregoi edhe një herë se sa popull i cekët jemi. Popull i pangritur mendërisht, i papjekur, dhe i prapambetur përkundër gjithë këtyre doktorave të shkencave që nuk dinë të përdorin as presjen e Oksfordit e lëre më diçka tjetër.

Në vend se të dënojmë kriminel me nofka komitësh të shekullit të kaluar, ne dalim e veç që nuk u ngremë lapidare. Në vend se të gjykojmë dhe të distancohemi nga veprime të tilla që nuk kanë vend në sport, ne bëhemi gati për luftë. Nuk e kuptojmë qëllimin e sportit. Nuk e çmojmë bukurinë që ka.

Lufta…

Tashti jemi në gjendje lufte! Gjaknxehtësia, patriotizmi, dhe prapambeturia intelektuale e pjesës më të madhe të popullit tonë nuk kërkon dylbi për tu parë. E keni në fejsbuk, në tviter, rrugëve, në kafene (vendet e preferuara të shqiptarëve), në shkolla (ku më së paku edukohen të njomët nga të paedukuarit), në televizione, kudo.

Po të mos ishte droni, Shqipëria do të kishte marr tri pikë të merituara në Beograd. Krenaria do të ishte më e madhe, pa pasur nevojë pritja e vendimeve të CAS-it e UEFA-s. Tashti do të kishim një atmosferë festive duke pritur çastet e fundit para garantimit të suksesit më të madh në histori të sportit të Shqipërisë.

Por, falë një banditi ‘fukara’ që paska arritur të blej një dron që mesatarisht kushton 700$, të shkoj e të fle në Beograd, të gjej rrugën e miqtë për të ikur, ne sot kemi një gjendje lufte që pret vetëm një gol të Serbisë për të nisur. Gjendje që do ti dëshmoj botës ato që të tjerët kanë thënë për ne – njerëz të shpellave, të paedukuar, e të paditur. Një fakt që godet dhe lëndon përditë shtresën të kundërt të kësaj shoqërie të ngujuar në këtë geto intelektuale me shekuj.

Nuk është hera e parë që ju ‘djeg’ zemra e ‘ndihmojnë’ banditë e kriminelë. Fonde të tilla ka pasur gjithnjë. Fonde të tilla kanë instaluar pushtete që ju marrin edhe centin e fundit që ju mbetet në xhep.  Një artikull tek GazetaExpress pos që më inspiroi për këtë shkrim, ju jep edhe fakte për ‘heroin tuaj hajvan’ siç e quan autori. Lexojeni atë!

Por, mirë na e bëjnë, sepse nuk do të mbledhim mend kurrë.