Sallovitët

Tashti që Xhejk Salli është rehatuar në Pandora me familjen e tij, për të vazhduar historinë e nisur nga James Cameron sa e sa vite më parë, duhet të paraqitet një rrezik që do të bëj më interesante jetën e Xhejk duke shërbyer si katalizator dhe rifreskim të memorieve që ka me Nejtirin në filmin e parë.

Tash, së bashku me armatën e racës Na’vi, ata do të mbrojnë shtëpinë e tyre të re, sepse shtëpia nuk është një objekt siç pandehet nga shumica, por është streha ku zemra gjen rehatinë!

Orgazëm vizual

Kur shohim filma, sidomos 3D, e ndiejmë veten sikur jemi brenda ngjarjes, duke u mishëruar në emocionet që kanë protagonistët kryesorë. Gjithë kjo bëhet edhe më reale kur kemi një pjesë vizuale jashtëzakonisht të mprehtë e sheshtë në detaje që na kënaqë sytë e shpirtin.

I njëjtë është edhe Avatar: the Way of Water, marrë parasysh që ka vonuar aq shumë sa që nga filmi i parë deri në vazhdimin unë kam humbur shumicën e flokëve, derisa pjesa tjetër ka filluar të bëhet e hirtë, por assesi nga pritja për këtë vazhdimin e dytë.

Kjo nëse asgjë tregon përkushtimin dhe maniakllëkun e James Cameron, një perfeksionist perfekt, i cili me shumë gjasë ka kërkuar precizitet në të gjitha objektet e përdorura në film ashtu që mos të bëjnë shaka siç bënin me faktin që dera në Titanik ka mundur të zinte dy veta.

Nejse, falë Zotit, Cameron ka angazhuar një ekip specialistësh që kanë matur dhe kanë vërtetuar që dera në atë film nuk ka mundur të zë dy veta, kështu që Rozë ka gjetur rrugën deri në Na’Vi, derisa Xheku është fekale e peshqve të ngordhur në fund të Atlantikut.

Matriksi

Pas Boyhood, ky duhet të jetë filmi më i kotë ndonjëherë. Nëse e vonon një punë me idenë që sa më gjatë e sa më ndryshe do jetë më e mirë, atëherë gjasat janë të mëdha që ajo do jetë bërllok, ashtu siç ishte filmi i parë, i cili tenton të ofroj një vizualitet mbresëlënës, por nuk i ikë temës së lodhshme që kësaj radhe tenton të bëhet në një ambient kinse ma special.

Ky film mund të kënaqë vetëm ata që duan të shohin diçka kinse të veçantë që të kënaqin egon, duke mos ia dalë t’i ikin materializmit dhe sipërfaqësores, e cila nuk është bazë e artit të filmit, që sot primare ka arkat.

Filmi sigurisht është humbje kohe prej 3 orë e 12 minutave, të cilat unë nuk mund t’i ndajë për një produkt mediokër. Prandaj, njëjtë siç ka bërë heroi im Slavoj Zizek me Matrix Revolutions, edhe unë kam shkruar këtë recensim pa u lodhur të shikoj filmin. Zizek së paku kishte lexuar recensime para shkrimit të tij. Unë nuk lexoj recensime e as nuk shoh trailerat. Në këtë rast as filmin. Nota personale: 1/5