Categories
Filma

Avengers Endgame (2019) – Recensim (si zakonisht pa spoilera)

Është në trend me pa filmin Avengers Endgame edhe me qenë pjesë e historisë së filmit ma të suksesshëm nëpër kinema. Uroj që të thyhet rekordi edhe tek ne sepse rekorde me tituj si ‘Geostorm’ e ‘Dy gishta mjaltë’ janë turp për një vend, po ne njihemi për turpe të shumta, kështu që s’do të ishte çudi edhe nëse dështon.

Nëse e shihni Avengers Endgame pa parë 21 filmat tjerë të MCU, nisur nga Iron Man i vitit 2008, dijeni që humbni shumë nga historia, e lëre të jeni pjesë e historisë. Nëse nuk i keni parë filmat tjerë, do të jenë jo tri orë të humbura, por tri ditë filmash të humbur. Së paku serinë e filmave ‘Avengers’ është mirë ta keni parë.

E tjerët, të cilët janë të familjarizuar me MCU-në, do të përjetojnë një fund ashtu siç i ka hije, një vepër të përkryer, një kapitull jete të kurorëzuar si i ka hije. Udhëtimi ka qenë i veçantë, nga Iron Man deri tek Avengers Endgame, kanë qenë 22 filma e 11 vite për t’u krenuar që kemi jetuar këtë periudhë.

Tek ‘Infinity Wars’, Thanosi kishte përfunduar misionin e tij, zhbërja e të cilit dukej e pamundshme në fund. Tek ‘Endgame’ provohet të kthehen të humburit, kthimi i universit në rregull, ashiqare. Por…

Skenari, kur e mendon që është bërë nga dy vetë për dallim prej disa filmave që kanë një kamion skenaristësh sikur të ishte këngë e zonjës Knowles, është i mahnitshëm. I papërshkrueshëm si për kohështrirjen e ngjarjeve dhe ndërlidhjen e tyre ndërmjet vete, e mbi të gjitha me temën kryesore.

Nuk përqendrohet vetëm në temat kryesore, duke devijuar me shumë çaste komike, ashtu siç është zakon, pa përjashtuar edhe emocione tjera jo aq qesharake. Njëjtë sikur oscilimet emocionale, njëjtë janë edhe ato të temave. Ngjarja merr drejtime të ndryshme në çaste të papritura, me përmasa gjigante. Është një punë e mahnitshme e skenarit e cila hijezohet vetëm nga puna e Russo-ve në regji! Krye-mjeshtri apo siç thonë ‘masterpiece’!

Aktrimi mbledh më të mirët e krejt MCU-së për një përkulje para publikut, e megjithatë ka edhe momente që nuk i ikin klisheve të korrektësisë politike, por janë minimale!

Avengers Endgame është filmi më i mirë i serisë, një finale që i ka hije MCU-së! Nota personale: 5/5

p.s. Kam parë edhe terme si filmi më i mirë në histori, ama janë të çastit këto deklarime. Sigurisht, do të ngjitet në IMDB edhe në numër një ndoshta, por prapë, është herët edhe është mbivlerësim një deklarim për filmin më të mirë ndonjëherë.