Lufta e pafundme duket të jetë sikur ideja dhe lista e filmave të Marvel – e pafundme!

Çdo vit, nga dy-tre super-heronj nëse jo me ndonjë armik, kapen me njëri-tjetrin, për ‘ideale’, dhe në fund del Samuel L. Jackson me një mf të tij dhe i pajton të gjithë! Tek ‘Infinity War’ kemi një armik tjetër – Thanosin i cili dëshiron t’i mbledh gurët e çmueshëm për të dominuar çdo dimension të universit. Dhe, për çudi, Thanosi nuk duket të jetë aq djalë i keq, po në fakt ka edhe disa lidhje historike me ‘Avengers’!

Disa prej gurëve janë të fshehur tek anëtarët e S.H.I.E.L.D. apo në vende të caktuara, dhe njëjtë Thanosi has në vështirësi të ndryshme në rikuperimin e tyre. Lufton me Avengers të ndryshëm, të cilët në klane dalin e i vihen përballë. Dhe gjatë ardhjes në klane, në grupe, ata gati asnjëherë nuk pajtohen me vetveten, as kur janë duke lëshuar atmosferën e Tokës, apo kur bien ndërtesat mbi ta. Dhe në tërë këtë tollovi, gjithmonë del ai që është ‘cool’ dhe ia plasë nja dy a tri linja shakash, që bëjnë shikuesin më shumë të shkund kokën (SMH), se sa të qeshë! Kjo është ideja e pafundme e Marvelit që riciklohet në çdo film.

Por, tek ‘Avengers: Infinity War’ duke nisur nga titulli gjërat premtohen të jenë më të mëdha. Në fakt nuk ka shumëçka që ndryshon, pos numrin të super-heronjve dhe madhësisë së kundërshtarit. Duke pasur parasysh që filmi është i ndarë në dy pjesë, as fundin s’mund ta quajmë fund, pasi s’dyshoj që në filmin e dytë do të kemi një fund të ngjashëm me fundet e lumtura të Marvel, pa harruar edhe atë skenën pas-përfundimtare e cila është ndoshta gjëja më e mbivlerësuar tek kjo seri e filmave.

Sigurisht që fansat e filmave të Marvel do ta konsiderojnë edhe si filmin më të mirë ndonjëherë, por kjo do të jetë vetëm deri në shfaqjen e vazhdimit të dytë. Atëherë do të mbetet ai film më i miri, pastaj ‘Infinity War II’ a kushedi çfarë titulli tjetër do të shfaqet, me të njëjtat shtylla të përmendura në paragrafin e dytë të plotë të këtij recensimi.

‘Avengers: Infinity War’ është filmi me përmasa më të mëdha i Marvel. Filmi më i mirë? Do të thosha që është filmi që i ikën më së shumti asaj ‘kotësie’, e që rrjedhimisht do ta bënte filmin më të mirë. Nuk u mbetet borxh shikuesve, ofron atë që premton. Nota personale: 4/5

 

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: