Howard Hughes mbetet një nga emrat më të çuditshëm të historisë së Hollivudit. Legjenda e tij prej një të ‘çmenduri’ vazhdon të ketë atë jehonën e heshtur, sidomos në kohët kur rishfaqet nga raftet e pluhurosura të arkivave të Hollivudit. Ngjashëm si gjahu në komunistët.
Derisa së fundmi kemi pasur filmin e përqendruar në pjesën e dytë të jetës së Hughes me ‘Rules Don’t Apply’, tek ‘The Aviator i cili ka ardhur nja 13 vite më parë, kemi të bëjmë me jetën e tij të hershme. Nuk do ti krahasoj këta dy filma, por është e qartë që ‘The Aviator’ është shumëfish më i mirë, në të gjitha aspektet.
Sot e dimë që filmi ka fituar pesë çmime Oskar, katër në kategoritë artistike dhe një për aktrimin e Cate Blanchett, e cila kishte fituar në një vit jo aq konkurrent dhe sikur kishte akumuluar meritat pas tri vazhdimeve të ‘Lord of the Rings’. Dua të them që aktrimi i saj nuk ka qenë edhe aq mbi atë të Leonardo DiCaprios, Alan Aldas, apo edhe Kate Beckinsale, por ka pasur një kategori më të lehtë. Edhe pjesa tjetër e ansamblit të aktorëve, John C. Reilly, Alec Baldwin, e deri tek Adam Scott e Jude Law, kanë qenë të shkëlqyeshëm në aktrimin e tyre. Është një punë kolektive goxha e mirë.
Por, ajo që shkëlqen më shumë është puna pas kamerave. Martin Scorsese e ka një të metë për shijen time – i zgjat filmat së paku nja 30 minuta më shumë që duhet. Futen detaje që nuk kanë aq shumë nevojë për temën e filmit, sa për shfaqjen e punës së tij artistike në realizimin e dialogut, si dhe kapjen e skenave në mënyrë atraktive. Edhe këtu kemi disa sosh, duke nisur nga fluturimet e Howard, dhe dialogët e tij me Katharine Hepburn – emri i të cilës ka qenë ndër arsyet kryesore besoj për Oskarin e Blachett.
Skenari, shkrimi i John Logan ka qenë i përsosur. Puna e tij para e pas këtij filmi vazhdon të jetë e cilësisë së lakmueshme. Ai vazhdon të jetë aty në mesin e më të mirëve në ofrimin e filmave me një narracion të bukur të aventurës.
‘The Aviator’ mbetet një nga filmat më të mirë të Martin Scorsese, spikatur nga aktrimi i një ansambli të shkëlqyeshëm. Nota personale: 4/5 (dhe të gjithë e dimë arsyen pse nuk e merr pesëshe nga unë)