Categories
Filma

Bad Boys for Life (2020)

Marrë parasysh rrethanat e asaj kohe, me shumë gjasë ‘Bad Boys 2’ mund të jetë ndër filmat që kam parë më së shumti herë. Fajin e kanë Taquillat në Astra!

Gati 17 vite më pas, shija ime ka evoluar sipas rregullit të vetëm konstant në këtë dimension të jetës. Megjithatë bashkimi skenik i Will Smith dhe Martin Lawrence, do të duhej të zgjonte nostalgji për kohën e reduktimeve të rrymës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë pas pavarësisë. Nostalgjinë anash, ‘Bad Boys for Life’ solli atë që pritej nga ta, veçse realizuar në një mënyrë më të lënë pas dore.

Ka shumë momente kur skenat këputen, dhe gjithçka me qëllimin për të mos zgjatur filmin i cili edhe ashtu shkon mbi dy orë. Pastaj kemi disa shpërthime e aksione të cilat duken se nuk janë marrë seriozisht nga Adili e Bilalli si regjisorë, që në fakt duken shumë amatore.

Rrëfimi është tipik për një film të këtillë, por që provon të thellohet për efekte interesante për të përfunduar ashtu siç e cilëson Markusi në një moment ‘telenovela shit’!

Pos Will Smith e Martin Lawrence në rolet kryesore, Paola Nunez, Kate del Castillo, e Vanessa Hudgens vijnë në rolet dytësore. Kjo e fundit në një rol jashtë ‘botës së saj’. Kthehet edhe Joe Panoliano në rolin e kapitenit, që përmbush atë ciklin e nostalgjisë së treshes së ‘djemve të këqij’.

E djemtë kësaj radhe janë në ndjekje të një vrasësi të ri i cili po likuidon personat e përfshirë në një rast gjyqësor të para një çerek shekulli, me një motiv që del të jetë mister për trupat e rendit. Majk ende është në rolin e detektivit, Markus është bërë gjysh dhe dëshiron të pensionohet, por edhe për një herë ‘detyrohet’ t’i bëjë shoqëri kolegut të tij të përjetshëm. Dhe është kjo gjë që e bënë filmin komik në raste me një pensionist që është lodhur nga puna e tij e rrezikshme.

Suksesi komercial nuk ka munguar, dhe marrë parasysh energjinë e Will Smith për të realizuar projekte, na garantojnë edhe një vazhdim të djemve të këqij, por zor që do të merr notë më të madhe. Nota personale: 3/5