Ma në fund e kuptova pse sa shumë postonin para se të shihnin “Barbie”, po askush nuk jepte një verdikt për filmin!
Që nga fillimi i kohës, që nga vajza e parë, ka pasur kukulla! Mirëpo krejt këto kukulla kanë qenë bebe, deri te shfaqja e Barbit!
Shfaqet Barbi edhe krejt ato vajza në kohën e neolitit i hedhin tutje kukullat, fillon muzika, Margot Robbie, edhe ka hare anembanë. Në Barbieland, Barbit/gratë janë krejt çka mund të jenë. S’ka nevojë për feminizëm, për të drejta të barabarta, për protesta!
Tash jemi me një Barbie stereotip, të thjeshtë, derisa njoftohemi me Barbieland, edhe takojmë Kenët! Hala krejt është hareshëm, krejt lule e pink!
Edhe papritmas, Barbie mendon për vdekjen!
Hareja ndryshon pak kah zymtësia, derisa Barbie fillon të zbulojë më shumë për këtë mendim.
Tani… Mos vet!
Kam qenë në mesin e atyre që i janë dorëzuar trendit për Barbien se ka qenë bukur, që nga imazhet e para të Margot Robbie e Ryan Gosling, e deri te trailerat e Barbenheimer!
Edhe pa e parë kam deklaruar që është filmi më i mirë i vitit!
Mirëpo, tash, pasi e kam parë, kam ndryshuar mendim!
Nuk mendoj që Barbie është filmi më i mirë i vitit! Mendoj që është ndër filmat më të mirë të dekadës! Një klasik i ardhshëm që ngërthen në vete një filozofi të thellë që nuk kufizohet në feminizëm, përkundrazi, trajton një histori të njeriut, të dy gjinive, që nga zanafilla e njerëzimit!
Sigurisht, për të arritur në një përfundim të tillë duhet të shohim më thellë se sa që na shfaqet para syve! Mirëpo, për Zotin, moti nuk kam parë një ‘ndryshim’ brenda një filmi sikur te ‘Barbie’!
Diqysh është njëfarë filozofie në vete, që të trazon goxha thellë nëse arrin të shohësh të gjitha pas vet ngjarjes e sidomos monologëve të Ruth, Margot Robbie, e America Ferrera.
Greta Gerwig e Noah Baumbach bëjnë një kryevepër artistike që mishëron një shfaqja vizuale me një rrëfim të jashtëzakonshëm të një historie që nis si hajgare po masanej… Ky tranzicion, pothuajse i padukshëm, e bën këtë film madhështor siç është!
E di që shumica ngecin në këtë tranzicion derisa vazhdojnë të mbajnë qasjen e pjesës së parë të filmit, krejt hare e kukulla, por edhe nuk kanë faj. Është sikur dikush që qysh është duke treguar ngjarje komike e shaka, sikur Barbie duke vallëzuar, fillon të flet për vdekjen!
Ky tranzicion i menjëhershëm është i zorshëm për t’u kapërdirë, dhe rrjedhimisht Barbie humb ‘magjinë’ si film.
Por për tjerët, është ndër filmat më të mirë të dekadës. Nota personale: 5/5