Eric Abidal është jashtë fushe për shumë kohë, ngjashëm edhe Bojan Krkic, ndërsa Carles Puyol po ka probleme muajve të fundit. Këtyre u shtohet edhe Adriano që do të mungoj në katër javët e ardhshme pas lëndimit që pësoi në ndeshjen kundër Realit. Guardiola nuk ka vetëm katër lojtarë të lënduar por edhe disa lojtarë tjerë që nuk janë për qejfin e tij kohëve të fundit. Gabi Milito është një qendërmbrojtës për të cilin Barselona ka shpenzuar 20.5 milionë euro në korrik të 2007-tës, ndërsa sot nuk i besohet deri në atë masë që mesfushorët defanziv vendosën në pozitën ku ai mund të shkëlqej. Busquets dhe Keita, dy mesfushorë defanziv kanë qenë ndihmë e Piques në ndeshjet e fundit që tregon qartazi për moskonsiderimin e Militos nga ana e Guardiolas. Por, jo vetëm mbrojtja ka probleme. David Villa ka shënuar 17 gola këtë sezone por jo pas shkurtit të këtij viti që tregon për një shterpësi dhe presion psiqik që u vërejt më së miri në një rast që pati në finale të kupës që rëndom do të ishte gol i sigurt, por nuk ishte kësaj radhe. Bojan është i lënduar e s’do të garantonte ndonjë sukses edhe po të ishte i shëndosh ndërsa Pedro e Messi s’po mund të funksionojnë kundër mbrojtjeve të tilla si të Realit. E pikërisht ato mbrojtje duhet të çahen nëse Barça dëshiron sukses shtesë pos titullit të La Ligas. Në finale të kupës Reali pati një periudhë në 15 minutat e fundit kur krahu i djathtë i mbrojtjes ishte jashtë funksionit, por kjo nuk u shfrytëzua nga Barça. Guardiola po ka probleme kundër Mourinhos. Të shtunën humbi epërsi në 15 minutat e fundit edhe atë me një lojtar më shumë në fushë, ndërsa të mërkurën e vetmja alternativë që përdori ishte vendosja e Piques në qendërsulm që bëri më shumë faulla se raste për shënim, ndërsa në anën tjetër luante pa asnjë mbrojtës. Mesfusha s’po mund të jetë aq e lirë, s’po mund të dominoj. Të shtunën dominonin me posedim dhe pasime, por pjesa më e madhe bëhej në fushën e Barçës. Krahët nuk po funksionojnë, dhe çuditem kur shoh Di Marian e sidomos Cristiano Ronaldon duke luajtur si mbrojtës krahu. Mourinho s’mbet pa u akuzuar nga kush për lojë anti-futboll, për prishje të futbollit e shumëçka të ngjashme duke filluar nga Cruyff e deri tek Di Stefano, ish-ylli i Realit. Joses s’i bëhet vonë. Le të flasin, ai është njeriu që ka fituar Ligën e Kampionëve duke patur vetëm 23% topin në posedim. Ndoshta është koha e fundit që Guardiola të mendoj ndonjë mënyrë për të mposhtur Mourinhon. Barselonistët ankohen se nuk po mund të luajnë futboll, ashtu siç duhet. E po, ndoshta kjo është mënyra e vetme për të ndalur Barçën, të mos i lejosh të luajnë futboll, e kur të vjen të zgjedhësh në mes të të luajturit futboll apo titujve, çfarë do të zgjedhnit ju?!

A ka ndryshuar Arsenali që nga 2007-ta?

Thierry Henry është ndër lojtarët që “topxhinjtë” e rinj e konsiderojnë yllin e fundit të kësaj skuadre që nuk ka fituar tituj tashmë 6 vite. Henry kaloi tre vite në Barselonë para se të shpërngulej në SHBA ku është duke luajtur për New York Red Bulls. Gjatë tetë viteve të tij, që padyshim janë më të mirat në karrierën e tij pa marrë parasysh numrin e titujve të fituar me Barçën, ai ka shënuar 174 në 254 ndeshje, një bilanc goxha i mirë. Para disa ditëve ai ka vizituar Emirates dhe në një deklaratë të tij që u komentua në mënyra të ndryshme nga mediat ai deklaroi që “Gjithçka është njëjtë që nga atëherë kur unë isha këtu”. Shumë media e komentuan këtë në mënyrë negative duke aluduar që Henry e pati fjalën për tituj, edhe pse sinqerisht ai shprehi mallin për kohën e artë në Highbury. Por, sido që të jetë Arsenal ka probleme. Vetëm në dy ndeshjet e fundit kanë humbur tri herë epërsinë kundër Tottenhamit e në minutën e 98 kundër Liverpoolit. Edhe Fabregas shpërtheu duke thënë “Mjaft kemi qenë skuadër që zhvillon talente, duhet të fitojmë tituj”. Ai po ashtu preku edhe trajnerin Arsene Wenger duke shtuar “Të qëndroje pesë vite pa tituj në Spanjë do të shkarkoheshe”. Dy alternativa për Cesc, ose të sjellin lojtarë të rinj ose ta shesin atë për në Barselonë. Unë do të zgjedhja të dytën. Të gjithë barselonistat dalin shëtisin dhe rikthehen në fole për lavdi. Fabregas është dashur të shkonte vitin e kaluar ndërsa Gunners do të merrni 40-50 milionë euro që do t’i mjaftonin Wengerit për të sjellur talente të reja. Megjithatë tashmë vlera e tij nuk besoj që mund të kaloj 35 milionët, që përsëri s’janë pak, por krahasuar me atë çfarë ka përfituar Arsenali këtë sezone nga ai dhe çka do të përfitonte nga talente të reja është humbje e madhe. Me ardhjen e pronarit të ri, Stan Kroenke edhe Arsene Wenger duhet të marrë vendim se a dëshiron të jetë skuadre që zhvillon talente dhe nuk sjell tituj, apo më në fund dëshiron të fitoj tituj për fansat e tyre. Pozita e dytë nuk është pak, por s’mjafton për “topxhinjtë” e etur që gjashtë vite.

Gjatë fundjavës

Pashkët kanë ndryshuar skedulin e ndeshjeve në disa prej kampionateve kryesore. Italianët të gjitha ndeshjet do t’i zhvillojnë të shtunën ndërsa do të veçoja dy superderbi, Inter-Lazio dhe Palermo-Napoli. Tri nga këto skuadra vazhdojnë të luftojnë për një vend në Ligën e Kampionëve, përderisa Udinese takohet me Parman. Milan udhëton në Brescia, e edhe pse e ka zakon të dështoj ndaj skuadrave të dobëta, kjo zakonisht ndodh kur janë vendas, por gjithçka mund të pritet. Në anën tjetër fitorja e Milanit dhe dështimi eventual i Napolit praktikisht do ta mbyllte garën për titull në Itali.

Në Angli, Ancelotti insiston se lufta për titull është e hapur, e arsye për këtë mund të jetë që Manchester Utd., edhe pse ka gjashtë pikë diferencë takohet me Arsenalin dhe Chelsean para fundit të kampionatit e gjithashtu do të jetë i zënë edhe me Ligën e Kampionëve. Prej të tre konkurrentëve Chelsea ka orarin më të rëndë, ndërsa Arsenali ka disa takime me skuadra më të dobëta, por pikërisht ndaj atyre dështon. Chelsea mund të shtyj West Hamin drejt kategorisë së dytë këtë javë, ndërsa Arsenal udhëton në Bolton kundër të cilëve është e pamundur të parashikosh rezultat edhe pse javën e kaluar humbën 0-5 nga Stoke. Manchester pret Evertonin, por shumë interesante pritet të jetë përsëri lufta për pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve. Manchester City ka siguruar finalen dhe është afër titullit. City ka një orar tepër të vështirë ndërsa vendimtare padyshim do të jetë ndeshja e parafundit në kampionat kur ndeshen me Tottenham, ndërsa pas 4 ditëve luajnë finalen e kupës. Do të doja të dija çfarë do të ishte me më rëndësi, një titull që mungon tashmë tri dekada, apo një vend në Ligën e Kampionëve. Të dyjat do të ishin më të mira, por edhe më rëndë për t’u arritur.

Në Spanjë s’ka mbetur çfarë të shikohet pasi e gjithë vëmendja është drejtuar tek përballja e të mërkurës kur në Bernabeu edhe një herë do të ndeshen Reali i Madridit dhe Barselona. Vetëm të rikujtojmë që nga La Liga tri skuadra do të kualifikohen për në Europa League, nga e pesta deri tek e shtata, pasi që fituesi i kupës, Reali, dhe finalistja Barcelona kanë siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Humbja e Leverkusenit javën e kaluar e afroi Dortmundin afër titullit me 8 pikë epërsi ndaj Leverkusen. Titulli mund të konsiderohet punë e kryer, por assesi s’mund të themi të njëjtën gjë për pozitën e tretë që dërgon në Ligën e Kampionëve. Hannover nuk e ka ndërmend të lëshoj pe, por të gjithë do të pajtoheshim që Bayern ka shumë çka më tepër të ofroj në Ligën e Kampionëve se sa Hannover. Megjithatë për momentin Hannover e meriton pozitën e tretë pa marrë parasysh fuqinë e tyre financiare. E kur jemi tek fuqia financiare Wolfsburg është menjëherë pas Bayernit, por jo edhe në renditje. Ata po luftojnë për mbijetesë, dhe ndoshta pozita e 16 mund ti dërgoj në suplementare por nuk u garanton asgjë.

Top 13shja

Dhe për fund që nga kjo e premte kam vendosur të bëj një Top13 të skuadrave më të mira për momentin. Mënyra se si renditen nuk është e përcaktuar në kritere apo pikësim të veçantë por është një renditje e thjeshtë bazuar në suksesin dhe formën aktuale sipas mendimit tim personal

Në mesin e 13të skuadrave më të mira do të fusja Manchester City pasi kanë arritur finalen e parë pas tri dekadave duke mposhtur rivalët e United. Interin do e zbrisja në pozitën e 12të për shkak të formës së dobët në Serie A dhe humbjes nga Parma edhe pse fituan me Romën për kupë. Pozita e 11të i takon PSG të cilët mposhtën Lyonin në fundjavë, ndërsa u kualifikuan edhe në finale të Kupës së Francës në mesjavë. Valencia vazhdon të tregoj lojëra cilësore dhe pozicionet e 10ta, ndërsa në pozitën e nëntë bie Napoli që është mposhtur nga Udinese javën e kaluar duke mbetur një hap pas në luftë për titull në Serie A. Ajax po vazhdon të fitoj dhe tani gjendet një pikë larg kreut dhe lufta për titull është rihapur rishtazi në Holandë. Ngjashëm edhe Bayern vazhdon të luftoj në ndeshjet e fundit, ndërsa demolimi i Leverkusen e vendosë në pozitën e shtatë. Dortmund vazhdon të qëndroj e gjashta pas fitores bindëse në fundjavë, ndërsa Chelsea mbetet e pesta pas dy fitoreve radhazi në kampionat. Real Madrid ngjitet në pozitën e katërt pas fitores në kupë kundër Barçës dhe më duhet të mposhtin edhe një herë që t’i vendosja edhe më lartë. Manchester Utd do të binte në pozitën e tretë nga pozita e liderit për shkak të dështimit në fundjavë në kupë dhe humbjes së pikëve në Newcastle. Barcelona vazhdon të qëndroj e dyta kryesisht për shkak të humbjes nga Reali, ndërsa formën më të mirë për momentin e ka Milani që megjithë barazimin në kupë, në Serie A vazhdon të ecën sigurt drejt titullit, përderisa konkurrentët e tij po dështojnë. Gjithashtu edhe dështimet e Barselonas dhe Manchester i renditin kuqezinjtë në pozitën e parë në renditjen e Top13.