Shumë veta kam parë që e ndërlidhin ‘Barry’ me ‘Dexter’. Më shumë e konsiderojnë frymëzim se sa kopje. Nuk kam parë Dexter. Mirëpo, kam parë Saturday Night Live me Bill Hader, dhe pothuajse çdo projekt kinematografik e televiziv në të cilin është shfaqur më pas. Për ata që presin një Bill Hader me komedi të stilit të SNL, apo Stefonit, nuk është seriali i duhur ky. Por, për fansat e llojit të komedive si ‘Silicon Valley’, producenti i të cilit, Alec Berg, është bashkë-krijues i serialit bashkë me Hader, mund të jetë një ikje nga bota teknologjike, në atë të krimit.

E karakteri kryesor, Barry, portretizuar nga Bill Hader, është një veteran ushtrie i cili provon teatrin. Por, detyrohet t’i kthehet zanatit të vjetër, porse në vend që për para të shtetit, të vrasë për para personale tani. I përzier me njerëz të krimit të organizuar, ndër viktimat e para të tija do të jetë kolegu nga grupi i teatrit, Ryan. Dhe i shtyrë nga Fuches, karakteri i Stephen Root, shefi i radios tek NewsRadio që është një nga komeditë më të këndshme të viteve ‘90ta, Barry vazhdon të merret me punën dytësore që del të jetë një mbulim i mirë gjersa kryen orë teatri.

Në teatër ka kolegen Sally, dhe mësuesin Gene Cousineau, të cilin mund ta njihni nga ‘Out of Practice’, pak ‘Parks and Recreation’ dhe komplet ‘Happy Days’ e ‘Arrested Development’, si dhe shumë filma të Adam Sandler. Të dy këta i japin serisë romancën që nuk është romancë, dhe komedinë të cilën Winkler e posedon në gjithçka që paraqitet. Por, karakteret më komike dalin të jenë Goran Pazar dhe NoHo Hank, të cilët janë punëdhënësit e Barryt. Me një anglishte me theks rus, të dy janë burime të skenave komike në pothuajse çdo skenë që shfaqen. E NoHo portretizohet nga Anthony Carrigan, të cilin së fundmi keni mundur ta shihni si Victor Zsasz tek ‘Gotham’, me të cilin ka një rol të ngjashëm, por më pak ‘të çmendur’.

‘Barry’ është një prurje e mirë në botën e komedisë. Ka edhe skenar, e edhe aktrim të mirë. Një komedi e errët, e përfshirë me aksion më pak se krim, me tetë episode në total, sjell një sezon të mirë. Nota personale: 4/5